Drejtori për Planifikim Strategjik dhe Zhvillim të qëndrueshëm në komunën e Prishtinës, Genc Bashota, ka folur në një konferencë për medie lidhur me hartën zonale të kryeqytetit, parkingun nëntokësor te Fakulteti i Filologjisë dhe ndërtimin e 5 shkollave me PFI, formë e financimit publiko-privat, ku tregoi se në cilën fazë kanë mbërritur këto projekte.
Duke folur për parkingun nëntokësor te Fakulteti i Filologjisë, i cili do të ketë kapacitet prej së paku 500 parkingjeve, Bashota tha se ky është projekti i parë në formën e partneritetit publiko-privat, vlera investuese e të cilit është 12 milionë euro. Sipas tij, kohëzgjatja e koncesionit do të zgjasë nga 25 vite deri në 40 vite.
“Janë 13 mijë e 990 km katrorë, minimum do të jenë 500 parkingje. Hapësira mbi sipërfaqe do të kthehet në park, edhe tash ka gjelbërim, por duhet t’i jepet shpirt asaj hapësire. Lokale do të ketë vetëm në rrugën ‘Xhorxh Bush’, afër Radio Kosovës”.
Për këtë projekt, sipas Bashotës, janë dy procedura që duhet të kalohen: kërkesa për kualifikim dhe kërkesa për propozim.
Ai bëri të ditur se deri më tani janë paraqitur 6 kompani që kanë në garë për kualifikim. Në muajin nëntor të këtij viti pritet të nënshkruhet kontrata me operatorin për ndërtimin e këtij parkingu, proces i cili pritet të zgjasë 18 muaj.
“…ka edhe konsorciume që janë bërë bashkë për me qenë me të fuqishme. Ata që kualifikohen për fazën e propozimit. Kah fundi i nëntorit do ta kemi kompaninë që do të nënshkruajë kontratën dhe të fillojë punën. Ndërtimi pritet të zgjasë 18 muaj”.
Ndërsa sa i përket ndërtimit të pesë shkollave me PFI (Iniciativa për Financim Privat), e cila është rezultat i marrëveshjes së komunës me IFC-në e Gjermanisë, tha se kanë përzgjedhur katër lokacione.
“Po i ndërtojmë 5 shkolla tash dhe po i shpaguajmë për 15 vite. Kjo është përdorur në Gjermani dhe është shumë aktuale edhe në vendet latine. Ne kemi përzgjedhur katër lokacione, të pestin jemi në proces e sipër. IFC e ka pasur një konkurs për firmën ta përpilojë konceptin se si do të duken këto shkolla”.
Bashota është pyetur edhe për 21 autobusët e rinj, për të cilët tha se janë kryer të gjitha procedurat.
Ai bëri të ditur se që nga janari i vitit 2019 do të hiqen kondukterët dhe komuna do të paguajë trafikun urban për kilometrat që bën.
“Prej janarit të vitit të ardhshëm do të hiqen konduktorët, do të paguajmë kilometrat, për këtë na duhet një subvencion”.
Bashota tha se Plani Zhvillimor Urban u është miratuar në vitin 2013 me nguti, sepse vetëm 3 për qind e popullsisë ka qenë e përfshirë në diskutime publike, raporton Ekonomia Online.
Për shkak të kësaj, sipas Bashotës, tash kuvendi komunal ka marrë vendim për inicimin e hartës zonale. Ky proces, sipas tij, pritet të zgjasë 18 muaj.
Bashota tutje bëri të ditur se janë në fazën e përfundimit të analizës, e cila tregon nevojat për banim në komunë.
“Harta zonale nënkupton plan për të gjithë komunën. Në hartë zonale kemi punuar gjatë. Ka zgjatur 4 vite ky proces, jemi në përfundim të analizës që na tregon nevojat për banim”.
Me këtë hartë zonale, Bashota tha se synojnë t’i eliminojnë gabimet që kanë qenë në të kaluarën dhe t’i eliminojnë diskriminimet dhe pabarazitë mes qytetarëve, raporton EO.
“Dikujt i ka ra ndërtim i lartë, dikujt gjelbërim, ka pasë diskrepancë. Tash po tentojmë t’i eliminojmë këto pabarazi. Përcaktohet një koeficient për lagje, koeficienti 3 i bjen që nëse i keni 100 metra katrorë, u takojnë 300 metra ndërtim”.
Sipas Bashotës, pronat do të shpronësohen me koeficient, e jo me para, dhe mundëson realizimin më të lehtë të projekteve.
“Me këtë fitojmë një planifikim të barabartë, të drejtën e të gjithëve në koeficient të barabartë, pronat i shpronësojmë me koeficient jo me para dhe shumë me lehtë i realizojmë projektet infrastrukturore”.
Gjatë përpilimit të hartës zonale do të marrin pjesë edhe qytetarët.