Wido Geis-Thöne, ekonomist në Institutin e Ekonomisë Gjermane me qendër në Köln, kur pyetet se çfarë i dallon punëtorët nga Ballkani nga ata që vijnë nga vende të tjera, thotë se specifike për ta është se i gjen më shumë në ndërtim.
“Specifikë tjetër është se, ata i gjen më shumë në nivelin e mesëm të kualifikimit, gjë që i kemi më pak nga vendet e tjera të treta”, ka thënë ai në intervistën për DW.
Thöne deklaron se përveç ndërtimit, janë sektorët e pastrimit dhe shëndetësisë ku ballkanasit punësohen më shumë në Gjermani.
“Shumë prej tyre janë të punësuar në sektorin e ndërtimit, një numër i madh punon edhe në gastronomi, një numër jo i vogël punon në shërbime të tjera, si pastrimi, por edhe në sektorin e shëndetësisë ka një numër më të madh se punëtorë nga vendet e tjera”, shprehet ai.
Wido Geis-Thöne thekson se është vështirë të llogaritet numri i punëtorëve nga Ballkani që rrinë në zonën gri apo të zezë të punësimit.
Deutsche Welle: Zoti Geis-Thöne, tregu gjerman i punës nuk ia del dot pa fuqinë e huaj punëtore: Rregullorja e Ballkanit e qeverisë gjermane ka sjellë vitet e fundit mijëra punëtorë nga Ballkani Perëndimor në Gjermani, si do ta vlerësonit ecurinë e saj deri tani?
Geis-Thöne: Rregullorja e Ballkanit Perëndimor është një sukses i madh, deri vonë në vitin 2015 ne kishim një numër të madh azilkërkuesish në Gjermani, qe nga ajo kohë kemi migrim të të punësuarve, njerëz që punojnë e që japin një kontribut të madh në Gjermani në sigurimin e fuqisë punëtore të kualifikuar.
Çfarë thonë statistikat, cila kategori vjen të punojë më shumë në Gjermani, ata me më pak kualifikim apo specialistët?
Geis-Thöne: Do të thoja që pjesa më e madhe e punëtorëve nga Ballkani Perëndimor është në nivelin e mesëm të kualifikimit, pra kanë shkollim të niveleve të ndryshme nga vendi i tyre, që në Gjermani i përgjigjet shkolla profesionale, ky shkollim u mundëson atyre të bëjnë këtu punë të kualifikuara. Kemi edhe persona me kualifikim të lartë nga vendet e Ballkanit, por më pak se nga vendet e tjera.
Në cilët sektorë të ekonomisë gjermane i gjen më shumë punëtorët nga Ballkani?
Geis-Thöne: Shumë prej tyre janë të punësuar në sektorin e ndërtimit, një numër i madh punon edhe në gastronomi, një numër jo i vogël punon në shërbime të tjera, si pastrimi, por edhe në sektorin e shëndetësisë ka një numër më të madh se punëtorë nga vendet e tjera.
Çfarë i dallon punëtorët nga Ballkani Perëndimor nga ata që vijnë nga vende të tjera…
Geis-Thöne: Specifike për ta është se i gjen më shumë në ndërtim, specifikë tjetër është se, ata i gjen më shumë në nivelin e mesëm të kualifikimit, që gjë i kemi më pak nga vendet e tjera të treta.
A ka shifra aktuale sa vetë nga Ballkani Perëndimor punojnë në Gjermani?
Geis-Thöne: Në fillim të ktij viti kemi të regjistruar afër 100.000 vetë që punojnë në punë të thjeshta, dhe afërsisht 60.000 të tjerë në punë të tjera të kualifikuara, që në Gjermani kanë si kusht kualifikimin profesional, këto janë shifra nga të gjitha vendet e Ballkanit, përjashtuar Malin e Zi, që nuk ka pasur statistika.
Si qëndron puna më integrimin e tyre në vendin e punës, sa punojnë me kontrata të rregullta, apo të pakufizuara?
Geis-Thöne: Nuk mund të them, se sa vetë kanë kontrata të kufizuara apo të pakufizuara, por mund të themi, se janë kontrata që sigurojnë të ardhura të caktuara e që japin një lloj sigurie, sepse ato janë edhe kushti për dhënien e lejes së qëndrimit. Nuk duhet menduar, se janë punë, ku nuk siguron dot ekzistencën, por punë të rregullta.
Çfarë ndodh, kur ata humbasin kontratën e punës, ka edhe raste kur kalojnë në ilegalitet, megjithëse shumica e atyre që janë në ilegalitet vijnë nga Bullgaria e Rumania, sipas dpa?
Geis-Thöne: Punëtorët nga Bullgaria e Rumania mund të vijnë shumë shumë më lehtë në Gjermani në kuadër të BE, por nëse ndodh që personat nga Ballkani Perëndimor e humbasin punën, dhe kanë ardhur këtu përmes Rregullores së Ballkanit Perëndimor, atëherë në këtë rast ata humbasin edhe lejen e qëndrimit e duhet të kthehen. Sa persona pastaj qëndrojnë në zonën gri apo të zezë të punësimit, kjo është shumë e vështirë për t’u llogaritur.
Çfarë problemesh apo rreziqesh kanë punëtorët që vijnë nga Ballkani Perëndimor?
Geis-Thöne: Probleme apo rreziqe shoh pak. Niveli i rrogave në Gjermani është shumë më i lartë krahasuar me të ardhurat në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, pra normalisht për ata ia vlen nga ana monetare, edhe nëse janë në Gjermani për një kohë të shkurtër. Gjermania ka ngushtica në tregun e punës, në moment tregu ofron në Gjermani edhe perspektiva afatgjata, por edhe nëse kthehen ata marrim me vete përvoja që janë të vlefshme në vendlindje.
Largimi i fuqisë punëtore është një problem ndërkohë për vetë këto vende, ku do ta gjejnë njerëzit në rajon elektriçistin apo infermieren e larguar? Çfarë mund të bëhet në këtë drejtim?
Geis-Thöne: Partner për këtë është Bashkimi Europian, dhe ai ka strategji për Ballkanin Perëndimor, kjo është kuptuar ndërkohë. Sigurisht është një temë tani, kur qeveria gjermane merr punëtorë nga Ballkani në vend. Duhet thënë se është gjëja e duhur, që të hapësh kufirin, ata mund të vijnë të punojnë, por një rekrutim i organizuar i fuqisë punëtore nga Ballkani, po të kemi parasysh zhvillimin demografik në këto vende e vështirësive të përmendura në tregun e punës atje, nuk është në favor të këtyre vendeve.
Çfarë mund t’i ndihmonte këto vende nga largimi masiv i fuqisë punëtore?
Geis-Thöne: Në fund të fundit ajo që mund t’i ndihmone këto vende është afrimi i ngadaltë me BE, kështu që ato të mund të përfitojnë nga tregu i brendshëm i BE-së, që të përfitojnë më vonë edhe nga subvencionet rajonale, pra rruga në BE mund të ndihmojë. Për disa vende, veçanërisht për Kosovën dhe Bosnjen duhet të sqarohen sidomos të drejtat e pronës, pra aty janë ende shumë të nevojshme kryerja e disa reformave të thella.
* Dr. Wido Geis-Thöne është ekonomist në Institutin e Ekonomisë Gjermane me qendër në Köln, IW, i specializuar për migracionin dhe refugjatët.