Dy të rinj kanë humbur jetën sot në orët e hershme të mëngjesit në një aksident trafiku që ka ndodhur në rrugën Prizren-Gjakovë, saktësisht afër fshatit Krushë e Vogël.
Zëdhënësi i Policisë rajonale të Prizrenit, Vesel Gashi, tha për Kallxo.com se rreth orës 4:25, Policia ka marrë një informatë për një aksident që ka ndodhur në Krushë e Vogël.
“Menjëherë njësitë tona kanë shkuar në drejtim vendit të ngjarjes dhe kanë konstatuar se kemi të bëjmë me një aksident me fatalitet, ku dy të rinj kanë humbur jetën”, tha Gashi.
Sipas zëdhënësit, aksidenti ka ndodhur teksa vozitësi i kamionit të kompanisë “Bechtel Enka” ka dashur të kyçet te udhëkryqi që çon për në fshatin Randrobravë është goditur në mënyrë ballore nga vetura në të cilën gjendeshin viktimat.
Sipas Policisë, shoferi i kamionit është munduar të marrë masa të sigurisë me ndihmën e një automjeti përcjellës, sikurse edhe të rinjtë që janë përpjekur të ndalen me veturën e tyre, por nuk kanë arritur ta evitojnë aksidentin.
Dy të rinjtë kanë vdekur në vendin e ngjarjes.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha ekipet relevante, prokurori kujdestar dhe stafi komandues i Njësisë së Trafikut dhe njësitë tjera.
Me urdhër të prokurorit, shoferi i kamionit është në ndalim policor për 48 orë.