Zhvendosja e pagesës së tatimit mbi vlerën e shtuar nga kufiri në brendi të vendit ka ngjallur polemika në mes të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Kjo ide në të cilën ishte përmendur fillimisht nga qeverisja e Isa Mustafës, e më pas edhe nga qeverisja Haradinaj, është riaktualizuar nga kandidati për kryeministër i PDK-së, Kadri Veseli, edhe pse Ligji për TVSh-në, i cili parasheh këtë zhvendosje kishte kaluar në lexim të parë në Kuvend në maj të këtij viti, shkruan sot “Koha Ditore”.
Ky Ligj ishte premtuar që të sillej edhe më herët në Kuvend nga ministri i Financave, Bedri Hamza. Ai kishte thënë se në 2019 do të fillonte grumbullimi i pagesës së tatimit pas shitjes së produktit.
Ndërkohë, të dielën, kryetari i partisë që i përket Hamza, Veseli ka thënë se Qeveria e tij do të zhvendosë pagesën e TVSH-së nga kufiri në brendësi të vendit.