Kur në sportin kosovar duket se përfundojnë paradokset, një tjetër dëgjohet diku. Kësaj radhe Skenderaj ka rezervuar një befasi në Volejboll.
Sipas një reagimi të klubit të femrave ‘KV Skenderaj’, drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport i Komunës së Skënderajt, Ramiz Shala, ka përvetësuar një donacion që ka ardhur nga Federata e Volejbollit të Kosovës, shkruan gazetametro.net.
Siç pretendojnë ata, me largimin e zyrtarëve të Federatës, drejtori kishte marrë topat dhe rrjetën dhe i kishte lënë pa stërvitje.
“Drejtori për Kulturë Rini dhe Sport, Ramiz Shala, ishte pjesëmarrës në shpërndarjen e pajisjeve sportive nga Federata e Volejbollit të Kosovës, për shkollën e volejbollit në Skënderaj, shkollë e cila është aktive dhe është pjesë e Kv Skenderaj tash e sa kohë, ku ka nxjerrë talente të mëdha, dhe merr pjesë në gara me të gjitha grupmoshat. Menjëherë pas largimit të pjesëtarëve të Federatës nga salla, Ramiz Shala u përkujdes që topat dhe rrjetën t’i marrë në veturën e tij, dhe t’i dërgojë në zyrën e tij ose në shtëpi, duke i lënë vajzat në gjysmë të stërvitjes, dhe duke i bërë pajisjet pronë të tij”, thuhet në reagimin e shkollës së Volejbollit.
Ndërkaq, akuzat e kësaj shkolle nuk ndalen këtu. Ata e akuzojnë drejtorin se po synon që ta mbyllë këtë shkollë me qëllim për të hapur një tjerët, duke lënë kështu jashtë klubit të Skënderajt shumë emra të njohur.
Në reagim thuhet se nevojitet intervenim pasi, në të kundërtën, sportin në këtë qytet po e presin ditë jo të mira.