Jo më pak se 4.2 milionë euro shpenzohen për çdo vit nga arka e shtetit për financimin e partive parlamentare. Por këto nuk do të jenë shpenzimet e vetme që do të vilen nga taksat e qytetarëve në rast se miratohen ndryshimet dhe plotësimet në Ligjin për financimin e subjekteve politike, të cilat i ka hartuar së voni Qeveria e Kosovës, e të cilat priten të marrin vulën e Kuvendit, shkruan AktivPress.
Në dokumentet që janë dorëzuar në Kuvend, figuron se zbatimi i ligjit të ndryshuar për financimin e partive do të ketë një kosto prej mbi 800 mijë euro për një periudhë trevjeçare.
“Zyra e Kryeministrit si organ propozues ka dërguar vlerësimin e ndikimit buxhetor dhe e ka paraqitur përmes formularit të ndikimit buxhetor, sipas të cilit vlerësohet se ky Projektligj për t’u zbatuar për periudhën 2019-2021 ka një kosto shtesë prej 802,096 euro për Zyrën për regjistrim, certifikim dhe kontroll financiar të subjekteve politike, e cila themelohet me këtë ligj nga Komisionin Qendror i Zgjedhjeve”, thuhet në deklaratën financiare të lëshuar nga Departamenti për Buxhet në kuadër të Zyrës së Kryeministrit.
Kjo kosto shtesë thuhet se ka të bëjë me shtimin e stafit prej zyrtarëve në kuadër të Zyrës së re.
Vetëm për paga dhe mëditje për këta shtatë zyrtarë janë planifikuar 52,800 euro në vit. Ndërsa për mallra dhe shpenzime janë dedikuar jo më pak se 214,000 euro për vit.
Me Projektligj parashihet që Zyra në fjalë t’i përzgjedh me konkurs të hapur publik së paku dhjetë auditorë të licencuar, të cilët do të auditonin Raportet Vjetore Financiare si dhe Raportet e Deklarimit Financiar të Fushatës të subjekteve politike.
Për t’u përzgjedhur auditorët ndër të tjera thuhet se duhen plotësuar kriteret në vijim: të jenë auditor të licencuar sipas kërkesave të legjislacionit në fuqi në Republikën e Kosovës; të kenë përvojë pune së paku tre vjeçare në fushën e auditimit; personat fizik ose juridik të përzgjedhur të mos kenë pasur raporte kontraktuale me ndonjërin nga subjektet politike gjatë tre viteve e fundit; të mos kenë qenë donatorë të ndonjërit nga subjektet politike apo të kenë përfituar në ndonjë mënyrë nga subjektet politike gjatë pesë viteve të fundit; të mos ketë te ngritur aktakuzë ndaj tyre apo të jenë të dënuar për kryerjen e ndonjë vepre penale; si dhe të paraqesin një listë me të gjitha auditimet që kanë kryer gjatë tre viteve të fundit.
AktivPress një ditë më herët ka raportuar se me këtë projektligj, Qeveria po synon t’ua jap të drejtën e përfitimeve financiare edhe deputetëve që ndahen nga subjektet e tyre politike e që regjistrojnë subjekt të ri politik.
Nëse gjithçka ecën sipas planeve të Qeverisë Haradinaj, atëherë në arkën e PSD-së së udhëhequr nga Shpend Ahmeti do të derdhën rreth 420 mijë euro në bazë vjetore. Kjo do të ishte një goditje e madhe për Lëvizjen Vetëvendosje e cila aktualisht është përfituese e 1 milion e 85 mijë eurove, në emër të 31 deputetëve, përfshirë ata 12 që janë tash në Grupin parlamentar “PSD”.