Organizimi i provimit të Jurisprudencës nuk duhet t`i lihet Ministrisë së Drejtësisë për shkak se pastaj ky proces po keqpërdoret e manipulohet, thotë kryetarja e komisionit parlamentar për legjislacion, Albulena Haxhiu.
“Është e rëndësishme që të shihen mundësitë që organizimi i Provimit të Jurisprudencës të mos i lihet Ministrisë së Drejtësisë sepse ka goxha probleme në këtë drejtim dhe sidomos ka pasur ndikime partiake në komisionin e kaluar. Dhe, natyrisht që pastaj kemi probleme me juristët, të cilët qoftë po bëhen avokatë, qoftë gjyqtarë apo prokurorë. Pikërisht duke i lënë në dorë të Ministrisë së Drejtësisë pastaj po keqpërdoret dhe po manipulohet në këtë drejtim”, ka deklaruar Haxhiu, për Ekonomia Online.
Madje, sipas deputetes së Vetëvendosjes, pjesë e komisionit për këtë provim të rëndësishëm nuk duhet të jenë as kryeprokurori i Shtetit dhe kreu i Gjykatës Themelore, për shkak të mundësisë së joefikasitetit në punën e tyre në institucione përgjegjëse.
“Askund në asnjë vend nuk kam parë që kryeprokurori i Shtetit me gjithë përgjegjësi të që ka t’i lihet në dorë komisioni për Provimin e Jurisprudencës që po ashtu është një angazhim shtesë që do t`i pamundësonte prokurorit, kryeprokurorit në këtë rast që të merret me çështjet e krimit të organizuar e korrupsionit dhe veprat e tjera penale ose në menaxhimin se kryeprokurori është menaxher i sistemit prokurorial”, thekson Haxhiu.
Sipas saj, miratimi i ndryshimit të ligjit me të cilin parashihet rritja e kompetencave të kryeprokurorit të Shtetit dhe heqja e kufizimit për përfitimet shtesë është një regres për legjislacionin në Kosovë.
“Çfarë kanë bërë është se i kanë dhënë kompetenca hetuese kryeprokurorit të Shtetit si askund tjetër, për shkak se prokurori, kryeprokurori janë menaxherë të organit të akuzës dhe sigurisht që kjo ta prishë funksionimin aktual qysh është i paraparë edhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”.
“Këta e kanë hequr kufizimin që prokurori mund të marrë mjete shtesë për veprimtari të tjera, jo më shumë se 25% i pagës që e ka si prokuror. Projektligji aktual mendoj që është një regres dhe sigurisht që ne kemi shprehur rezervat tona dhe do t’i themi edhe në seancë parlamentare sepse besojmë që nuk duhet të lejohet propozimi siç është paraparë nga Ministria e Drejtësisë”, tha Haxhiu për EO.