Ndryshohen shkallët e tatimit në Kosovë, kaq është norma për të ardhurat mujore deri në 450 euro

Prishtinë | 27 Gus 2024 | 11:58 | Nga Ekonomia Online

Administrata Tatimore e Kosovës ka njoftuar se më datën 23 gusht është publikuar në Gazetën Zyrtare Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore.

ATK ka njoftuar se me hyrjen në fuqi të ligjit, me nenin 5 ndryshohen shkallët tatimore të cilat janë të përcaktuara në nenin 6 të Ligjit për Tatim në të Ardhurat Personale.

Më konkretisht, sipas nenit 5 të Ligjit Nr. 08/L-142 bëhet ndryshimi dhe plotësimi i Ligjit Nr. 05/L-028 për Tatim në të Ardhurat Personale, si në vijim:

“Neni 5

Ndryshimi dhe plotësimi i Ligjit Nr. 05/L -028 për Tatimin në të Ardhurat Personale

Neni 6 i Ligjit Nr. 05/L-028 për Tatimin në të Ardhurat Personale, ndryshohet si në vijim:

Neni 6 – Shkallët e tatimit

  1. Tatimi në të ardhura personale vjetore, ngarkohet sipas shkallëve në vijim:

1.1 Për të ardhurat e tatueshme deri në tremijë euro (3.000 €), duke përfshirë edhe shumën tremijë euro (3.000 €), zero për qind (0%);

1.2. Për të ardhurat e tatueshme mbi tremijë euro (3.000 €), deri në pesëmijë e katërqind (5.400 €), duke përfshirë edhe shumën pesëmijë e katërqind (5,400 €), tetë për qind (8%) të shumës mbi tremijë euro (3.000 €); dhe

1.3. Për të ardhurat e tatueshme mbi pesëmijë e katërqind (5,400 €), njëqind e nëntëdhjetë e dy euro (192 €) plus dhjetë për qind (10%) të shumës mbi pesëmijë e katërqind (5,400 €).”

Pra, shkallët e Tatimit në të Ardhurat Personale sipas Ligjit Nr. 08/L-142, janë:

Shembull:

Paga bruto: 300 euro

Kontributi pensional: 5% punëtori (15 euro) dhe 5% punëdhënësi (15 euro)

Paga që tatohet: 300-15 (kontributi i punëtorit) = 285 euro

Shkallët tatimore deri tash në Kosovë:

Paga prej 0 – 80 euro (0 për qind tatim) = 0 euro

Paga prej 80 – 250 euro (4 për qind tatim) = 6.8 euro

Paga prej 250 – 450 euro (8 për qind tatim) = 2.8 euro (285-250=35; 8 për qind e 35 euro=2.8 euro)

Gjithsej tatimi për pagë bruto 300 euro: 0 + 6.8 + 2.8 = 9.6 euro

Paga neto: 300-15 (kontributi pensional) – 9.6 euro (tatim) = 275.4 euro

Ndërkaq me ligjin e ri, shkalla tatimore ndryshon dhe ajo e dyta, prej 4 për qind hiqet. Pra, çdo punëtor do të paguajë 6.8 euro më pak tatim për pagë. Në rastin me 300 euro pagë bruto, paga neto do të ishte 282.2 euro.

Ky Ligj në fund të qershorit u vlerësua nga Gjykata Kushtetuese se nuk e shkel Kushtetutën.

Paga minimale në vend do të bëhet 264 euro bruto, nga 130-170 sa ishte qe 11 vjet.

Sipas Qeverisë, nga ndryshimi i shkallës tatimore përfitojnë rreth 380 mijë punëtorë.

Të ngjashme