Sot përfundon fushata elektorale e partive politike për zgjedhjet e jashtëzakonshme në veri të vendit, të cilat pritet të mbahen të dielën, më 19 maj. Në këtë garë zgjedhore për kryetarë të Leposaviqit, Zubin Potokut, Zveçanit dhe Mitrovicës Veriore marrin pjesë edhe dy subjekte politike shqiptare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje.
Kandidatja nga PDK, Gonxhe Çaushi, tha për Radio Kosovën se do të punojë në kthimin dhe mirëbesimin e komuniteteve atje. Ajo u shpreh se program i saj politik është fokusuar në integritetin dhe tolerancën ndëretnike.
”Duke komunikuar me të gjitha shtresat e shoqërisë në veri, kushti i parë për të ecur tutje. Pastaj kthimi dhe rindërtimi i shtëpive të djegura gjatë luftës, zhvillimi i infrastrukturës rrugore, ndërtimi i çerdheve dhe shkollave për banorët e kësaj pjese, ku do t’i shërbenin të gjithëve. Pra, një çerdhe multietnike e kështu me radhë.”
Ndërkaq, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, tha se qëllimi i tyre është rritja e sigurisë për banorët e veriut, zhvillimi ekonomik, kthimi i të zhvendosurve si dhe bashkimi i qytetit të Mitrovicës.
”Plan më afatgjatë, punët konkrete për ribashkimin e Mitrovicës, ashtu siç ka qenë më herët para ndarjes administrative. Programi kryesisht bazohet edhe në krijimin e vendeve të punës, luftimin e korrupsionit dhe ngritjen e llogaridhënies që mbizotëron në Komunën e Mitrovicës Veriore si dhe llogaridhënie dhe transparencë.”
Procesi zgjedhor në veri do të monitorohet vetëm nga vëzhguesit e akredituar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, thotë zëdhënësi në KQZ, Valmir Elezi. Ai u ka bërë thirrje subjekteve politike, kandidatëve dhe mbështetësve të tyre, që t’u përmbahen ligjeve të Republikës së Kosovës dhe rregullave zgjedhore.
”Pa dyshim se subjektet politike, kandidatët dhe mbështetësit e tyre kanë rolin kryesor për proces zgjedhor të qetë, të lirë dhe demokratik. Prandaj, ne bëjmë thirrje që kjo të arrihet!”
Ndryshe, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka angazhuar 670 komisionarë për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë të katër komunave në veri të vendit, që do të mbahen të dielën. Komisionarët do të angazhohen në 44 qendra të votimit në gjithsej 87 vendvotime.
Të drejtë vote në Mitrovicën Veriore kanë 22 mijë e 242 persona, në Leposaviq 18 mijë e 390 persona, në Zveçan 9 mijë e 276 persona dhe në Zubin Potok 8 mijë e 612 persona. Presidenti i vendit, Hashim Thaçi,ka shpallur zgjedhjet për katër komunat veriore pas dorëheqjes së kryetarëve atje në shenjë revolte për vendosjen e taksës prej 100 për qind ndaj produkteve me origjinë nga Serbia.