Më shumë se 50 qytetarë të Vushtrrisë kanë aderuar në Aleancën Kosova e Re (AKR). Ata janë pritur në një ceremoni zyrtare nga kryetari i degës së AKR-së në Vushtrri Nasuf Aliu.
Të aderuarit e ri kanë thënë se motivi kryesor i bashkimit të tyre me Aleancën Kosova e Re, është vizioni i njërit nga shqiptarët më të suksesshëm në botë, Presidentit të AKR-së Behgjet Pacolli.
Të sapo aderuarit u pritën edhe nga koordinatori i zgjedhjeve Vesel Makolli, kryetarja e Forumit të Gruas Mirlindë Gashi si dhe përfaqësues të tjerë të partisë nga qendra.
Kryetari i degës së AKR-së në Vushtrri Nasuf Aliu, tha se Aleanca Kosova e Re po shënon rritje çdo ditë e më shumë dhe se interesimi i qytetarëve për t’iu bashkuar misionit të partisë për zhvillimin ekonomik, sa vjen e shtohet.
“E gjithë arsyeja për këtë rritje qëndron në situatën e vështirë në të cilën gjendet shteti dhe familjet kosovare. Ne kemi varfëri të skajshme, mungesë të zhvillimit ekonomik, privatizim të dështuar si dhe shumë çështje të tjera me të cilat ballafaqohemi si shoqëri”, ka shtuar Aliu.
Më pas të aderuarit e ri janë pajisur edhe me libreza të anëtarësisë në Aleancën Kosova e Re.