Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK), ka njoftuar se numri i ankandeve për emetimin e letrave me vlerë të Qeverisë së Kosovës rezultoi të jetë 19, përderisa vlera e shpallur në ankande ishte 420.0 milionë euro.
“Gjatë vitit 2016, Qeveria e Kosovës ka shpallur numër dhe vlerë më të vogël të bonove të thesarit krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Përderisa numri i fletë-obligacioneve ishte i njëjtë me vitin paraprak, vlera e tyre ishte më e lartë gjatë vitit 2016”, thuhet në raportin vjetor të BQK-së, raporton RTKlive.
Sa i përket shumës së emetuar, ajo mbeti e njëjtë me vlerën e shpallur si për bono të thesarit, ashtu edhe për fletobligacione. Sipas afatit të maturimit, struktura e letrave me vlerë të Qeverisë së Kosovës vazhdon të tregon tendencë të zhvendosjes nga letrat me vlerë me maturitet afatshkurtër në letra me vlerë me maturitet afatgjatë.
“Kategoria kryesore në strukturën e letrave me vlerë vazhdon të mbetet ajo e bonove të thesarit me afat maturimi 364 ditë, pasuar nga fletë obligacionet me afat maturimi dy vjet. Shuma e ofertuar nga pjesëmarrësit tejkaloi shumën e shpallur në ankande nga Ministria e Financave për 2.17 herë (1.58 në dhjetor 2016). Krahasuar me vitin paraprak, këtë vit është vënë re një rritje e ofertës dhe njëkohësisht edhe rritje e emetimit të letrave me vlerë të Qeverisë së Kosovës. Në vitin 2016, norma mesatare e interesit në letrat me vlerë të Qeverisë së Kosovës ka shënuar rënie në 0.79 për qind (1.94 për qind në vitin 2015). Në këtë periudhë, normat e interesit për të gjitha afatet e maturimit ishin më të ulëta krahasuar me vitin 2015”, thuhet në raportin vjetor të BQK-së.