Organizuar nga komuna e Mitrovicës, komuna e Vushtrrisë dhe komuna e Podujevës, si dhe me mbështetje të Ministrisë së Diasporës, është mbajtur në Bajgorë të Shalës takimi tradicional kushtuar bashkatdhetarëve “Dita e Mërgimtarëve”, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.
Të pranishëm në këtë takim ishin nënkryetari i komunës së Mitrovicës, Faruk Mujka, kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, nënkryetari i Podujevës, Nexhmi Rudari, drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport në komunën e Mitrovicës, Tafil Peci, drejtorë të drejtorive komunale dhe një numër i konsiderueshëm i qytetarëve.
Nënkryetari i komunës, Faruk Mujka, ka falënderuar dhe shpreh respektin e tij më të thellë për mërgimtarët që kanë marrë rrugën për të ardhur në këtë vend të bukur e piktoresk të Shalës së Bajgorës, për të kaluar një ditë të këndshme, ku, siç tha ai, do të kenë edhe mundësi të mira për tu njohur më mirë me njëri-tjetrin dhe për të lidhur miqësi të tjera.
“Ky edhe ishte, të dashur bashkatdhetarë, qëllimi i organizmit, të këtij takimi, tashmë tradicional, me bashkatdhetarët tanë që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit”, ka thënë ai.
Në vazhdim nënkryetari Mujka tha se roli dhe kontributi i mërgimtarëve gjatë dekadave të tëra, deri në ditët e sotme, në mbështetje të atdheut, në forma nga më të ndryshmet, ishte i jashtëzakonshëm.
“Përkrahja juaj për çlirimin dhe zhvillimin e Republikës së Kosovës dhe natyrisht edhe të komunave tuaja nga ju vini, ishte e shumëllojshme dhe e pakursyer deri në vetëmohim, prandaj edhe meritoni respektin më të thellë dhe vëmendjen e merituar të institucioneve tona të lira e demokratike”, tha ai ndër të tjera.
Kryetari i komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, duke i përshëndetur të pranishmit ka thënë se kontributi i mërgatës kosovare është i jashtëzakonshëm, ndërsa ka shtuar se ardhja e bashkatdhetarëve nga shtetet e huaja në muajt e verës i japin shpirt Kosovës.
Sipas tij diaspora vazhdon të mbetet kontribut dhënës shumë i madh për Kosove. ”Realisht Kosova po qe se nuk do të vinit ju dhe ta ngjallni në këta muaj të verës, do të ishte një vend shumë i zymtë. Ju i jepni jetë Kosovës. Në këta muaj Kosova ka qarkullimin më të madh të parave. Kontributi i juaj ka qenë shumë i madh për lirinë dhe pavarësinë e vendit”, tha ai ndër të tjera.
Ndërsa nënkryetari i komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari, ka thënë se mërgimtarët çdo gjë që bëjnë për Kosovën e bëjnë me shumë dashuri. ”Ne ju jemi shumë mirënjohës të gjithë bashkatdhetarëve tanë për përkrahje dhe dashurinë e madhe ndaj Kosovës. Të gjitha veprat e mëdha që i keni bërë për Kosovën, i keni bërë me shumë dashuri”, tha ai.
Për të pranishmit u shfaq edhe një program i pasur artistik, me këngë e valle të ndryshme nga ansamblet e tri qyteteve.