Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), nëpërmes një video-spoti, në prag të Ditës Botërore të Tokës, fton të gjithë qytetarët që ta duan tokën, ta mbajnë të pastër dhe ta ruajnë atë.
“Ne të gjithë e duam tokën tonë. Ta mbajmë të pastër dhe ta ruajmë atë”, ka bërë thirrje ministrja Albena Reshitaj
“Të gjitha të mirat vijnë nga toka. Duaje tokën”, thuhet mes tjerash në videon e përgatitur nga MMPH-ja. “Një botë pa ndotje të plastikës”, theksohet aty.
Me rastin e 22 Prillit – Ditës Ndërkombëtare të Tokës, MMPH-ja, në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë, atë të Arsimit, Komunat e Prishtinës dhe të Rahovecit, si dhe organizatat mjedisore “Let’s Do it Kosova”, Regional Environmental Center (REC), Green Art Center (GAC), organizojnë të dielën një sërë aktivitetesh për ta shënuar këtë ditë.
Manifestimi kryesor do të mbahet nga ora 10:00 në Parkun e Qytetit në Rahovec, ku do të jenë të pranishëm edhe kryeministri Ramush Haradinaj dhe ministrja e MMPH-së, Albena Reshitaj.
Ndërsa, në vazhdim planifikohet edhe organizimi i një gare në vizatim dhe pikturë ndërmjet nxënësve të shkollave të Rahovecit me temën “Toka dhe mjedisi jetësor”. Tri punimet më të mira do të shpërblehen me shuma modeste financiare. Po ashtu do të nxiten të rinjtë e të rejat që të përdorin materiale të riciklueshme, si dhe do të bëhet promovimi i prodhimeve bujqësore të komunës së Rahovecit.
Ndërkohë në Parkun e Qytetit do të mbillen disa drurë dekorativë në simbolikë të Ditës së Tokës, kurse në disa lokacione të komunës së Rahovecit, të identifikuara si zona më të ndotura, do të bëhet pastrimi dhe mbjellja e rreth 1500 fidanëve të pishave.
Në përmbyllje të ditës, në hotelin “Park” në Rahovec do të organizohet një tryezë diskutimi me ekspertë dhe grupe e individë që merren me çështjet e mjedisit dhe mbrojtjes së tokës.
Aktivitete të ngjashme janë paralajmëruar edhe nga Komuna e Prishtinës, ajo e Gjilanit, e Skenderajt etj.