Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB), ka prezantuar hulumtimin “Vlerësimi i Nevojave të tregut të Punës 2019” në mbështetje të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), raporton Ekonomia Online.
Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, deklaroi se tregu i punës mbetët sfidë për ekonominë e Kosovës.
“Kemi realizuar një hulumtim në bashkëpunim me UNDP që ka pasur për qëllim nevojat e tregut të punës mbi 32 komuna, 1 mijë biznese të sektorëve të ndryshme pa dallim të etniteteve të bizneseve. Ky trend mbetet sfidë për ekonominë dhe Kosovën, por pak i kujdesshëm nga institucionet vendore”.
“Kërkesat e tregut të punës janë në vazhdimësi në rritje. Bëhen falë kapitalit njerëzor që kemi, por duhet të avancohet se në tregun e punës duhet të jemi konkurrent. Shumë biznese të Kosovës të jenë pjesë e madhe e zhvillimit ekonomik të vendit, por punëtorët nuk kanë gjetur vend për tu trajtuar dhe kjo ka pasur ngadalësim në ekonominë.
Shahini ka publikuar rezultatet e hulumtimit për tregun e punës, ku sipas tij, në vitin 2017-2018 ka pasur rreth 12 mijë persona më pak të punësuar.
“Deri në vitin 2018kemi pasur një rritje mesatarisht 4.2 deri në 3.8 të zhvillimit ekonomik. E gjithë kjo po bëhet për shkak të konkurrenca jo e drejtë, mos funksionalizimi i ligjit, efikasiteti për të marrë vendime. Punësimi mbetet një sfidë e madhe. 2012-2018 janë punësuar 42 mijë persona, krahasim me vitin 2017-2018 ka pasur më pak të punësuar 12 mijë persona, e ky është shqetësim i madh”.
Shahini ka potencuar se janë zvogëluar për 30% investimet e huaja në Kosovë, gjë e cila është shqetësuese.
“2018 janë 213 milionë investime të huaja, janë 42 milionë më pak që për Kosovën është vlerë e madhe”.
Kryetari i BSBK-së, Avni Ajdini, theksoi se papunësia është e theksuar dhe numri i bizneseve është zvogëluar.
Sipas Ajdinit, shoqëria politike po merret me zhvatje dhe jo me zhvillimin ekonomik.
“AKB ka qenë dhe është duke rrëfyer një sfidë me punën e vet duke i publikuar edhe këto analiza. BSPK dhe AKB kanë një bashkëpunim të mirëfilltë për tejkalimin e sfidave në vendin tonë. Pa u bërë bashkë nuk mundemi”.
“Për fat të keq, papunësia është mjaftë e theksuar dhe numrin bizneseve është duke u zvogëluar. Intelektualët e mirë po i merr perëndimi. Sepse për një jetë të dinjitetshëm, familje të harmonizuar. Shoqëria jonë politike nuk është marrë me zhvillimin ekonomik por me biznese dhe zhvatje te tatim paguesve”, ka thënë Ajdini.
Kryetari i Shoqatës së Ndërtuesve, Ibrahim Selimaj, kërkoj nga Qeveria e re që t’i kushtojë rëndësi prodhimtarisë vendëse e sidomos punësimit.
“Ekonomia në Kosovë nuk ka kujdes nga ana e qeveritarëve. Ne jemi njerëzit më të thirru që mbushim arkën e Kosovës. Presim nga qeveria së bashku me gjithë organizatat tjera që ti kushtojnë rëndësi të madhe prodhimtarisë vendore dhe të fokusohen aty ku mund të punësojnë njerëz”, tha ai.
Drejtori i Agjencionit të Punësimit në Prishtinë, Zylqyfli Obvertica, tha se analizat e AKB-së janë të nevojshme dhe ndihmojnë punën e tyre, raporton Ekonomia Online.
“Ka ra punësimi gjatë vitit 2019-të. Agjencioni punësimit do të dalë me rezultate të veta. AKB shpresoj të organizoj këso analiza pasi janë të nevojshme”, tha ai.
Drejtori i Agjencionit të Punësimit në Mitrovicë, Besmir Salihu, tha se janë 3 kategori të cilët janë të përjashtuar për tu integruar në vendin e punës.
Sipas tij, 60% janë të rinjtë, pastaj pjesëmarrja e ulët e grave si dhe personat e margjinalizuar.
“Janë 3 kategori në qasjen në tregun e punës apo të përjashtuar nga mundësia për tu integruar në vendin e punës. Të rinjtë 60%, ku 57% janë femra. Pjesëmarrja e ulët e grave në tregun e punës, vështirësia në tregun e punës të personave me nevoja të veçanta. Pastaj grupet minoritare”, tha Salihu.