Në IKSHP u prezantua programi për Regjistrin e kancerit “CanReg 5”

Prishtinë | 07 Mar 2017 | 13:36 | Nga

Në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHP) u bë sot prezantimi i programit (softuerit) për regjistrimin e rasteve me kancer “CanReg 5”.

Ky program është softueri i regjistrit të kancerit që e rekomandon Agjensioni Ndërkombëtar për Hulumtime të Sëmundjeve malinje i Organizatës Botërore të Shëndetësisë – OBSh (Internacional Agency for Research on Cancer/ WHO ), dhe i cili është adaptuar për Kosovë.

Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani tha se aplikimi i këtij programi do të mundësojë një evidentim cilësor dhe sasior të rasteve të sëmundjeve malinje dhe është rezultat i punës së Bordit Nacional për Kontroll të Kancerit, me mbështetjen e Zyrës së OBSh-së në Kosovë.

Ai tha se vitet në vijim do të jenë sfiduese sa u përket sëmundjeve malinje për faktin se me rritjen e jetëgjatësisë, shtohen edhe rastet me sëmundje malinje, që do të jetë një sfidë e veçantë për profesionistët shëndetësor.

“Prandaj, regjistrimi i rasteve do të mundësojë hartimin dhe zbatimin e politikave të drejta në adresimin e sëmundjeve malinje”, tha Ministri Rrahmani.

Drejtori ekzekutiv i IKSHP-së, Naser Ramadani, tha se me programin CanReg 5 do të regjistrohen të dhënat, të cilat grumbullohen me fletëparaqitjen e sëmundjeve malinje në Kosovë. “Ky program është realizuar me përkrahjen e OBSh-së, Zyra në Prishtinë, dhe ka për qëllim që të ngre cilësinë dhe sasinë e raportimit të sëmundjeve malinje dhe që indikatorët relevantë për sëmundjet malinje të mund të raportohen në OBSh dhe organizata të tjera ndërkombëtare”, tha profesor Ramadani. Ai theksoi se regjistri, gjithashtu, do të mundësoj që “të kemi të dhëna më të sakta për incidencën dhe prevalencën e sëmundjeve malinje” dhe që të arrihet ky qëllim plotësisht kërkohet që të ngrihet shkalla e raportimit të sëmundjeve malinje nga institucionet shëndetësore që merren me diagnostikimin dhe trajtimin e tyre.

Sami Uka nga Zyra e OBSh-së në Kosovë, tha se regjistri e ka rëndësinë e veçantë sa u përket zhvillimit të politikave shëndetësore, ndërsa rekomandon katër hapa sa i përket adresimit të sëmundjeve malinje: Parandalimin; Zbulimin e hershëm; Diagnostikimin dhe Trajtimin dhe kujdesin paliativ. Ai tha se janë dy rekomandime të dhëna edhe nga ekspertët që raportimi i rasteve duhet të mbështetet edhe me raportim aktiv dhe theksi duhet të vihet te cilësia e informatave që grumbullohen dhe jo te sasia e tyre.

Në këtë takim, ku softueri i adaptuar për nevojat e Kosovës u prezantua nga Armend Iseni nga Instituti Republikan i Maqedonisë, u tha se Regjistri i parë me të dhënat e regjistruara nga ky program pritet të prezantohen në fund të këtij viti.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme