Në Jashanicë realizohen dy projekte infrastrukturore

Klinë | 23 Shk 2017 | 11:22 | Nga

Kryetari i komunës së Klinës, Sokol Bashota, ka bashkëbiseduar me banorët e fshatit Jashanicë për realizimin e disa projekteve infrastrukturore. Bashota i ka njoftuar banorët e këtij fshati se këtë vit do të asfaltohen të gjitha rrugët në lagjet e këtij fshati të cilat deri tash kanë qenë në gjendje të vështire dhe me këtë investim krijohen lehtësira në lëvizjen e banorëve.

Në lagjet e këtij fshati do të asfaltohen mbi 10 km asfalt për t’u lidhur me rrugën kryesore.

Gjithashtu, Bashota ka treguar se në Jashanicë do të realizohet edhe projekti i kanalizimit të ujërave të zeza ku ndër të tjera janë paraparë rreth 100 mijë euro investime.

“ Pushteti lokal po bën gjithçka ç’është e mundur për të krijuar kushte sa më të mira për qytetarët. Nevojat janë të mëdha, ndërsa mundësitë buxhetore të kufizuara, por ne jemi të përkushtuar që të ndihmojmë qytetarët e kësaj ane dhe të gjithë komunës”, u ka thënë Bashota banorëve të Jashanicës.

Në anën tjetër, banorët e kanë falënderuar kryetarin Bashota dhe bashkëpunëtorët e tij për angazhimin në realizimin e këtyre dy projekteve jetike.

Ndër të tjera pritet edhe rregullimi i çështjes së ujit të pijshëm për Jashanicën dhe Resnikun.

Komuna e Klinës do të realizojë edhe projektin shumë të rëndësishëm të asfaltimit të rrugës që nis nga aksi rrugor Klinë-Skenderaj deri në fshatin Ujmir. ​

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme