Në Komunën e Klinës janë asfaltuar tri rrugë, dy në qytet “Mic Sokoli” dhe “ Kuvendi i Lezhës”, si dhe rruga në fshatin Gjurgjevik i Madh për të cilat janë investuar rreth 130 mijë euro. Mbarëvajtjen e punimeve e ka përcjellë kryetari i Komunës së Klinës, Sokol Bashota, i cili ka uruar banorët për rrugët e asfaltuara.
“Këto projekte kanë për fokus mirëqenien e qytetarit tonë duke krijuar lehtësi në lëvizje në zonat rurale dhe urbane. Gati të gjitha rrugët në qytet janë asfaltuar”, ka thënë me ketë rast kryetari i Komunës së Klinës Sokol Bashota.
Sipas tij, Komuna e Klinës është e përkushtuar, që brenda mundësive të krijojë kushte sa më të mira për jetesë, për të gjithë banorët e saj. Banorët e këtyre rrugëve që janë bërë me asfalt kanë falënderuar Komunën e Klinës, veçanërisht kryetarin Sokol Bashota për përkushtimin e treguar në realizimin e këtyre tre projekteve dhe shumë të tjerave që janë dhe po realizohen në gjithë komunën.
“Qëllim i yni është rritja e mirëqenies dhe krijimi i kushteve sa më të mira për jetesë. Së shpejti pritet edhe asfaltimi i dy rrugëve tjera në qytetin e Klinës, derisa është duke u punuar edhe në projekte tjera në infrastrukturën rrugore në Kerrnicë e Klinafc. Janë duke u realizuar edhe projekte në fushën e bujqësisë, të arsimit dhe segmente tjera”, ka shtuar Kryetari Bashota.