Rinia e Komunës së Klinës shumë shpejt do të ketë hapësirë moderne dhe të mjaftueshme për zhvillimin e aktiviteteve të tyre rinore. Pasi që sot është vënë gurthemeli për ndërtimin e objektit të ri të Qendrës Rinore në Klinë.
Në ceremoninë e vënies së gurthemelit në të cilin kanë marrë pjese shumë qytetarë dhe të rinj, kryetari i Komunës së Klinës, Sokol Bashota, ka thënë se fillimi i punimeve në ndërtimin e Qendrës Rinore është një lajm shumë i rëndësishëm për të gjithë qytetarët e Klinës, sidomos për rininë e kësaj komune.
“Komuna e Klinës e ka përfituar këtë projekt që lidhet me rininë dhe është në shërbim dhe interes të tyre dhe me përfundimin e këtij objekti në komunën tonë, hapësirat e nevojshme dhe të domosdoshme për rininë po plotësohen”, ka thënë Bashota, sipas të cilit, po ashtu gati në të gjitha shkollat të cilat janë ndërtuar kohëve të fundit ka hapësira të mjaftueshme ku të rinjtë mund të demonstrojnë aftësitë e tyre kulturo-sportive.
“Ky është një objekt që të rinjtë tanë do të kenë mundësi për ushtruar aktivitetet e tyre në aspektin e kulturës, muzikës e aktiviteteve tjera rinore dhe besoj se është bërë si objekt i veçantë me qëllim që të rinjtë të kenë një objekt të vetin që të ndihen më të lirë dhe pa pasur nevojë të kërkojnë hapësira në objekte të ndryshme. Kjo është komplet e rinisë dhe për rininë”, ka thënë ndër të tjera Bashota, i cili uroi të rinjtë klinas që ta gëzojnë këtë objekt dhe nga këtu të dalin vlera dhe kuadro të mira në fushën që ata mbulojnë dhe për të cilën është e dedikuar kjo qendër kulturore. Bashota premtoi angazhim për rininë, ngase ata janë ndër resurset më të rëndësishme të vendit.