Raportimi i bordit të transmetuesit publik Radio Televizionit të Kosovës (RTK), ka qenë temë diskutimi në Komisionin për Qeverisje Lokale, Administratë Publike, Zhvillim Rajonal dhe Media, raporton Ekonomia Online.
Në mbledhjen e këtij bordi anëtarët e këtij komisioni kanë kërkuar që bordi i RTK-së, të raportojë në komisionin, por jo për zgjedhjen e drejtorit të ri, pasi për këtë çështje siç u tha është diskutuar dhe se rasti është në gjykatë.
Valon Ramadani anëtarë i komisionit nga VV-ja propozoi që të ftohen në raportim ministrin e Pushtetit Lokal, oran Rakiq dhe bordin e RTK-së.
“Na si grup parlamentar kemi dy kërkesa, e para ka të bëjë që të ftojmë në komision Goran Rakiq për një vendim të kryetarit të Komunës së Kamenicës për mbylljen e disa shkollave dhe kërkesa e dytë është që Bordi i RTK-së të vijë në raportim. Këto dy çështje s’janë sot në rend dite. Por propozoj që nesër të jetë mbledhja e radhës.
Edhe nga grupi parlamentar i LDK-së ka kërkuar të njëjtit të vijnë në raportim.
Lushtaku ka thënë se do të shikoj nëse në aspektin ligjor është në rregull pasi që duhet së paku 48 orë të lajmërohen më herët.
“Nëse gjejmë pajtim mund ta lëmë për javën e ardhshme”, tha ai.
Valon Ramadani tha se kësaj kërkese i kanë parapri disa kërkesa që kanë ardhur nga Sindikata e punëtorëve të RTK-së lidhur me zhvillimet e fundit aty.
Anëtari i këtij komisioni, Rasim Selmanaj ka thënë se raportimi i bordit të RTK-së në këtë komision është normale.
“Të gjithë i dimë zhvillimet në RTK dhe me ftuar Bordin me raportua është normale. Por çështjen e zgjedhjes së drejtorit të ri e kemi diskutuar më herët. Dhe ai rast ka shkuar në gjykatë. Ne duhet të presim derisa ka një vendim andej”, tha Selmanaj.
Ardian Shala tha se ata janë organi që kanë zgjedhur këtë bor dhe se duhet ta ftojnë në raportim.
“S’ka diçka emergjente por kërkesa ekziston me ftuar këtë Bord. E jona është që ky institucion është publik dhe ne jemi organ që e kemi zgjedh atë Bord, andaj duhet ta ftojmë.
Ndërsa edhe kryesuesi i komisionit Mergim Lushtaku ka qenë pro raportimit të bordit të RTK-së, por propzimin e anëtarëve që bordi të raportojë të mërkurën ai e ka kundërshtuar për faktin e kohës së shkurtër. Lushtaku ka propzuar që bordi i RTK-së të raportojë për javën e ardhshme.
Komisioni për Qeverisje Lokale, Administratë Publike, Zhvillim Rajonal dhe Media në mbledhje ka shqyrtuar raportin e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin civil të Kosovës dhe raportin vjetor të Agjencionit të Statistikave të Kosovës.