Me rastin e Ditës Botërore të HIV/AIDS-it, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i Kosovës ka diskutuar për shkaqet, trajtimin dhe rastet e kësaj sëmundje epidemike në Kosovë si dhe mundësitë e parandalimit të kësaj epidemie.
Naser Ramadani, drejtor i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, ka thënë se bota është e përkushtuar për ti dhënë fund epidemisë së HIV/AIDS-it deri në vitin 2030.
“Ky objektiv ambicioz për ta parandaluar këtë epidemik deri në vitin 2030 është I habitshëm dhe përfaqëson një mundësi të madhe për të ndryshuar rrjedhën e historisë përgjithmonë, diçka që brezi ynë duhet të bëjë për brezat që vijnë”, tha Ramadani.
Zv. ministri i Shëndetësisë, Ali Berisha, ka thënë se diskutimet janë të nevojshme për këtë sëmundje ngase ajo mund të parandalohet. Ai ka thënë se që nga viti 1986 kur është shënuar rasti i parë në Kosovë e deri më tani ka pasur gjithsej 119 raste, ku prej kësaj sëmundje kanë vdekur 47 persona.
“Dita Botërore e HIV AIDSIT është një mundësi e mirë për të gjithë njerëzit për të kuptuar rëndësinë e parandalimit të kësaj sëmundje dhe për ti mbështetur të prekurit nga kjo sëmundje. Kosova konsiderohet si një vend me prevalencë të ulët të kësaj sëmundje. Fakti se prej vitit 1986 kur është shënuar rasti I parë, Kosova ka pasur 119 raste , me 47 të vdekur dhe momentalisht ka 36 pacientë nën mbikëqyrje. Prioritet i ynë duhet të jenë parandalimi i këtyre rasteve”, tha Berisha, raporton Ekonomia Online.
Doktoresha, Edona Dobroshi-Deva, nga Fondi Global tha se ky Fond në vazhdimësi e ka ndihmuar Kosovën me mjete financiare për të trajtuar dhe parandaluar këtë sëmundje epidemike.
“Kosova është marrëse e fondeve të Fondit Global për HIV dhe AIDS që nga viti 2008. Janë zotuar mbi 11 milionë dollar për Kosovën dhe janë dhënë rreth 10 milionë dollar për Kosovën për adresimin e kësaj sëmundje. Në Grandin e Fundit do të përkrahet strategjia 2018-1019”, ka thënë ajo.
Doktoresha, Luljeta Gashi, shefe e njësisë e HIV/AIDS në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë, tha se testimi dhe trajtimi i kësaj sëmundje nuk mjafton, por duhet të kemi qasje në shërbimin e parandalimit.
“Duhet të kemi rritje të qasjes në shërbimin e parandalimit. Të kemi hulumtime me qëllim të përcjelljes dhe parandalimit dhe përmirësim në qasjen universale për të gjithë. Kosova klasifikohet me shkallë të ulët të epidemisë por ka potencial të rritjes”, tha ajo, raporton EO.
Në botë deri në fund të vitit 2017-të janë shënuar gjithsej 37 milionë raste me HIV-AIDS, ku prej tyre 35 milionë janë të rritur ndërkaq 1.8 milionë janë fëmijë nën 15 vjeç.
Nga kjo sëmundje gjatë vitit 2017 kanë vdekur 940 mijë persona.