Gjendja ekonomike në gjithë botën është rënduar që pas shfaqjes së pandemisë COVID-19. Edhe në Kosovë, efekti i pandemisë ndikoi që shumë sektorë të destabilizohen. Numri i të papunëve u rrit, e u shtuan edhe rastet sociale.
Sipas të dhënave që KOHA ka siguruar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, këtë vit janë regjistruar 92.352 më shumë punëkërkues se vitin e kaluar, për periudhën janar-shtator.
Deri në shtator të 2019-ës ishin regjistruar 105.711 punëkërkues, ndërkaq për periudhën e njëjtë këtë vit janë regjistruar 198.063 punëkërkues.
Për të njëjtën periudhë vitin e kaluar në këtë kategori të regjistruara ishin 46.562 gra dhe 59.149 burra, ndërkaq në vitin 2020 janë 89.343 gra dhe 108.720 burra.
Përfaqësues të sektorit privat, që nga fillimi i pandemisë kanë shprehur shqetësimin e tyre lidhur me gjendjen financiare. Ndër sektorët më të zëshëm, është gastronomia. Ata kanë protestuar, duke u shprehur kundër masave të cilat Qeveria ka marrë në përpjekje të parandalimit të shpërndarjes së koronavirusit, e për të cilat kanë thënë se po e vështirësojnë veprimtarinë e tyre.
Qeveria ishte zotuar se përmes Ligjit të Rimëkëmbjes do t’u dalë në ndihmë bizneseve, por ky projektligj nuk po gjen mbështetje nga anëtarët e ekzekutivit. Vetëm për lexim të parë, këtij projektligji i është dashur të kalojë gjashtë herë në Kuvend, për t’i marrë votat e nevojshme herën e shtatë. Porse përkrahje nuk po gjen as në leximin e dytë, madje ka dështuar të votohet edhe në Komisionet parlamentare.
Odat ekonomike kanë insistuar që ky projektligj të kalojë, në mënyrë që bizneset të gjejnë mbështetje financiare te Qeveria.
Që nga marsi e deri në korrik, afro 550 milionë euro është shuma e kredive që janë marrë nga qytetarët, bizneset e ndërmarrjet në Kosovë. Kjo shifër, megjithatë, është më e ulët se ajo e vitit të shkuar për rreth 130 milionë euro. Më 2019, në periudhën e njëjtë ishin dhënë mbi 680 milionë euro kredi në Kosovë.