Konfederata Evropiane e Futbollit (UEFA) planifikon të lejojë kthimin e një numri të caktuar të shikuesve në ndeshjen e Superkupës së Evropës që do të luhet në Budapest më 24 shtator.
Dueli që do t’i vërë përballë fituesin e Ligës së Kampionëve me të Ligës së Evropës pritet të jetë test, për të shikuar mundësinë e kthimit të tifozëve në tribuna edhe në ndeshjet e ekipeve dhe të përfaqësueseve.
Në mbledhjen e mbajtur të mërkurën nga Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s, është thënë se të gjitha vendimet do të merren pas rekomandimeve të ekspertëve duke respektuar masat që kërkohen nga organet shëndetësore.
Në vendimin e marrë të mërkurën nga KE e UEFA-s thuhet se është herët të lejohen shikuesit në takimet e Ligës së Kombeve në muajin shtator. Në shtator, Kosova do t’i luajë dy ndeshje të edicionit të dytë të Ligës së Kombeve, atë më 3 shtator kundër Moldavinë në Parma të Italisë, kurse pas tri ditësh në “Fadil Vokrri” ndaj Greqisë.