Kosova është radhitur në vendin e 32-të nga 187 shtetet e analizuara në raportin më të ri global të Bankës Botërore “Gratë, Biznesi dhe Ligji 2019: Një dekadë reformash”, duke u vlerësuar me 91.88 nga 100 pikët e mundshme
Në një postim në Facebook, Banka Botërore bënë të ditur se raporti mat tetë indikatorë me 35 pyetje që janë të strukturuar rreth ndërveprimit të grave me ligjin, prej kur e fillojnë karrierën, vazhdojnë përparimin e deri në fund të karrierës.
Këta indikatorë janë udhëtimi që mat kufizimet në lirinë e lëvizjes, përfshirë këtu se a mund të vendosin gratë në mënyrë të pavarur se ku të shkojnë, ku të udhëtojnë dhe ku të jetojnë.
Fillimi i punës që analizon ligjet që ndikojnë vendimet e grave për të hyrë në tregun e punës, pagesa që mat ligjet që ndikojnë në segregacionin e profesioneve dhe dallimin në paga sipas gjinisë.
Martesa që vlerëson kufizimet ligjore në lidhje me martesën, lindja e fëmijëve që hulumton ligjet që ndikojnë në punën e grave pas shtatzënisë, udhëheqja e biznesit që analizon kufizimet për gratë për të nisur dhe menaxhuar biznese. Udhëheqja e aseteve që hulumton dallimet gjinore në të drejtën e pronësisë dhe të drejtën trashëgimore dhe pensionimi që vlerëson ligjet që ndikojnë madhësinë e pensionit të një gruaje.
Kosova ka vlerësimin maksimal në 6 nga 8 indikatorët e këtij indeksi. Dy indikatorët ku ende kërkohen reforma janë Lindja e fëmijëve dhe Pensionimi.
Kosova ka marrë vetëm 60 nga 100 pikët e mundshme në indikatorin Lindja e fëmijëve për shkak se qeveria nuk paguan 100% të benefiteve të pushimit të maternitetit ose benefite të pushimit prindëror dhe për shkak se nuk ka pushim të paguar prindëror, si dhe 75 nga 100 pikët e mundshme në indikatorin e pensionimit për shkak se në Kosovë ligji nuk jep shtesa të veçanta pensionale për kohën e kaluar për përkujdesje të fëmijëve.
Vetëm gjashtë vende – Belgjika, Danimarka, Franca, Latvia, Luksemburgu dhe Suedia – kanë shënuar rezultatin perfekt prej 100 pikëve, që do të thotë se u japin grave dhe burrave të drejta të barabarta ligjore në fushat e matura.
Studimi zhvillon njohuri të reja për atë se si punësimi dhe ndërmarrësia e grave ndikohen nga diskriminimi ligjor, dhe pastaj se si kjo ndikon rezultatet ekonomike si për shembull pjesëmarrjen e grave në tregun e punës.
Indeksi i ri synon të vendosë themelet për një hartë për përparim gjatë kohës dhe të identifikojë fushat potenciale ku ka nevojë për më shumë punë, për të inspiruar reforma prej të cilave përfiton barazia gjinore.