Në Mitrovicë dhe Lipjan arrestohen dy persona të dyshuar për terrorizëm

Prishtinë | 20 Dhj 2017 | 16:09 | Nga

Drejtoria Kundër Terrorizmit në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale të Kosovës, ka ndërmarrë një operacion në Mitrovicë dhe në Lipjan për zbatimin e urdhërkontrolleve të lëshuara nga Gjykata Themelore në Prishtinë dhe ajo në Mitrovicë.

Gjatë këtij operacioni në cilësinë e të dyshuarve janë shoqëruar në stacionin e Policisë dy persona, njofton policia.

Të arrestuarit janë: K.P dhe B.Q të cilët dyshohet se kanë shpërndarë propagandë në mbështetje të grupeve terroriste, veprime këto të sanksionuara sipas ligjit për ndalimin e bashkimit në konflikte të armatosura jashtë territorit të vendit.

“Gjatë këtij operacioni në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar disa pajisje elektronike dhe gjësende tjera, të cilat janë përdorur për kryerjen e veprës penale dhe të cilat do të analizohen në vijim”.

Me urdhër të prokurorit të rastit nga Prokuroria Speciale e Kosovës ndaj të dyshuarve është shqiptuar masa e ndalimit policor prej 48 orëve.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme