Ka dështuar zgjedhja e kryetarit të Kuvendit për shkak se koalicioni fitues në mungesë të votave ka refuzuar ta propozojë kandidatin.
Testi i parë në votim, i cili u bë pas kërkesës së PAN-it për kohë shtesë, konfirmoi vetëm 60 vota të tyre, bashkë me komunitetet pakicë dhe deputeten e LDK-së, Teuta Rugova, shkruan sot Koha Ditore.
Po aq i ka kampi tjetër i përbërë nga Lëvizja Vetëvendosje dhe koalicioni i bashkuar rreth LDK-së. Zyrtarë të PDK-së kanë shfrytëzuar si pretekst “mbylljen e seancës” nga ana e kryesuesit për të paralajmëruar se nuk do të marrin pjesë në vazhdimin e saj.
Por, sipas juristëve, bojkotimi i seancës nga koalicioni PAN është në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014.
“Seanca konstitutive nuk quhet asnjëherë e mbyllur pa u realizuar qëllimi i saj kryesor – zgjedhja e kryetarit dhe e nënkryetarëve të Kuvendit”, ka thënë juristi Vigan Qorrolli.