Në shkollën e mesme të ulët “TOKI Istiklal” në Reyhanlı të qytetit turk Hatay, mësojnë 17 binjakë dhe 3 trinjakë.
Binjakët dhe trinjakët e kësaj shkolle, ku shkollohen 1.075 nxënës, janë në qendër të vëmendjes së mësuesve dhe shokëve të tyre, bën të ditur AA. Në mesin e tyre ka edhe binjakë sirianë, ndërsa së bashku kalojnë kohën në shkollë.
Disa nga binjakët janë në të njëjtën klasë, ndërsa disa janë në klasa të tjera. Binjakët dhe trinjakët kohë pas kohe ngatërrohen për shkak të ngjashmërive të tyre nga mësuesit dhe shokët.
Ayşe Betül Turgut, një nga trinjakët, nxënëse e klasës së 7-të, për AA tha se është një bukuri e veçantë që në shkollën e tyre gjenden binjakë dhe trinjakë.
Ajo shpjegon se gjatë ligjëratave ndihmojnë njëri-tjetri. “Në të njëjtën klasë kemi edhe shokë binjakë. Jemi gjithmonë së bashku me binjakët dhe trinjakët e shkollës sonë. Luajmë dhe kalojmë kohën së bashku. Është një ndjenjë e ndryshme, jam e lumtur se jam trinjake”, u shpreh ajo.
Ndërsa Hamit Erdem Cüneydioğlu, nxënës i klasës së 7-të, thotë se gjithmonë është së bashku me shokët dhe shoqet binjakë dhe trinjakë.
Ai shprehu kënaqësinë që me vëllanë binjak gjendet në të njëjtën klasë. “Edhe këtu, por edhe në shtëpi kalojmë kohë të mirë me vëllanë”, tha ai.