Komuna e Pejës dhe e Istogut gjatë vitit të kaluar nuk kanë respektuar Ligjin për Shërbimin Civil në gjitha rastet e stafit të angazhuar me kontrata në vepër. Këto gjetje i ka identifikuar Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) gjatë auditimit të pasqyrave financiare vjetore të këtyre 2 komunave për 2017.
Sipas Auditorit, emërimet me afat të caktuar për një periudhë më të shkurtër se 6 muaj bëhen në bazë të kontratave të quajtura “Marrëveshje për shërbime të veçanta”, të cilat i nënshtrohen Ligjit për detyrimet dhe për të cilat zbatohet një procedurë e thjeshtësuar rekrutimi, shkruan sot “Koha Ditore”.
Megjithatë Auditori ka identifikuar parregullsi në angazhimin e stafit sipas marrëveshjeve për shërbime të veçanta. VjetKomuna e Pejës kishte angazhuar 49 zyrtarë përmes marrëveshjeve për shërbime të veçanta. Te ky numër i punëtorëve të angazhuar ZKA-ja ka gjetur parregullsi në 24 raste, në të cilat periudha e angazhimit të zyrtarëve ka qenë më i gjatë se 6 muaj.
Po të njëjtat parregullsi ZKA-ja i ka gjetur edhe në Komunën e Istogut. Edhe në këtë komunë vjet kanë qenë të angazhuar 49 punëtorë përmes marrëveshjeve për shërbime të veçanta dhe ZKA gjatë auditimit ka identifikuar në 28 raste periudhën e angazhimit të zyrtareve më të gjatë se 6 muaj.