Në prag të nisjes së gjykimit ndaj Pjetër Shalës, Prokuroria e Mbrojtja merren vesh për ta vizituar Kukësin

Prishtinë | 18 Tet 2022 | 18:02 | Nga Ekonomia Online

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë, të martën, në konferencën përgatitore për gjykim në rastin ku ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Pjetër Shala, po akuzohet për krime lufte nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), palët diskutuan për vizitën në vendin e pretenduar të krimit.

Parapraksht, trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësja Mappie Veldt – Foglia, ka deklaruar se qëllimi i kësaj konference është që trupi gjykues të marrë të gjithë informatat e nevojshme për të filluar me gjykimin, raporton “Betimi për Drejtësi”.

ZPS ka deklaruar se sa i përket kësaj vizite, koha më e mirë për ta realizuar do të ishte në fund të paraqitjes së provave nga ZPS, mbrojtja e viktimave dhe pala mbrojtëse me arsyetimin se në atë kohë trupi gjykues do të mund të kuptonte më mirë të gjitha provat.

Edhe mbrojtësi i viktimave është deklaruar lidhur me këtë vizitë, duke theksuar një aspekt të kësaj vizite që ndërlidhet me një dëshmitar.

“Ne kemi dëgjuar mendimet e individit që është prekur drejtpërdrejt nga ajo që ka ndodhur në këtë çështje dhe do të japë dëshmi dhe ai mendon që kjo do t’iu ndihmonte  juve. Po ashtu, edhe ai e pranon që mund të ketë disa aspekte të sigurisë që ju duhet t’i merrni parasysh”, është shprehur mbrojtësi i viktimave Laws.

Mbrojtja e Shalës është pajtuar me vlerën e një vizite të tillë, duke theksuar faktin që dalja në terren të krijon një pikëpamje më ndryshe sesa ajo që krijohet nga fotografitë apo vizatimeve.

“Ne mendojmë që koha më e përshtatshme të bëjmë këtë vizitë është pas paraqitjes së provave nga prokuroria dhe para paraqitjes së provave nga ana e mbrojtjes”, ka shtuar avokati Gilissen.

“Çështja e sigurisë është aspekt mjaft i rëndësishëm, ne mendojmë se nëse ju dëshironi të kuptoni zinxhirin komandues dhe kush e ka pasur këtë në Kukës, ne dëshirojmë që ju të shkoni në fabrikën e metalit në Kukës”, ka vazhduar Gilissen.

Po ashtu, avokati Gilissen ka thënë se prokuroria ka treguar për një shtëpi ku komandanti i Brigadës 128 ka qëndruar dhe ka ftuar trupin gjykues ta realizojë këtë vizitë për të qartësuar aspektin e zinxhirit komandues.

Paraprakisht, Veldt – Foglia, në fillim të seancës ka pyetur ZPS-në për disa nga provat të cilat i ka nxjerrë me vonesë, duke përfshirë edhe shtimin e një dëshmitari të premten e javës së shkuar.

Arsyetimi i ZPS-së konsistonte në atë që në fund të procedurës paragjyqësore, kjo zyrë kishte vendosur të bënte një auditim të të gjithë materialeve të nxjerra për t’u siguruar që kishin nxjerrë të gjitha dokumentet.

Mbrojtësi i të akuzuarit Shala, avokati Jean-Louis Gilissen ka thënë që është humbur shumë kohë edhe në procedurën paraprake për shkak të nxjerrjes së dokumenteve nga ana e prokurorisë dhe se kjo situatë është duke vazhduar.

“Kjo situatë nga pikëpamja procedurale duhet parë në kuadër të një afati, i cili ka kaluar dhe ka ardhur koha të themi mjaft. Gjyqi nuk mund të jetë një kurth apo pritë që na bëhet, nuk po them që po e bën prokuroria, por duhet ta them qartë na krijohet përshtypja sikur po humbim shumë energji”, është shprehur Gilissen.

Mbrojtësi i dytë i Shalës, avokati Mohamed Hédi Aouini, ka thënë se informatën lidhur me shtimin e dëshmitarit e kanë pranuar të premten e shkuar si pjesë e provave shfajësuese, ndërkohë që korrespondencën për t’i kërkuar informacion ZPS-së lidhur me këtë çështje për sa i përket këtij dëshmitari, ai ka thënë se e kishin dërguar shumë kohë më parë, por kishin pranuar përgjigje negative.

Tutje, nga ZPS kanë diskutuar një raport i cili sipas tyre është vërtetues i informacionit që njihet për mbrojtjen që është identifikim me anë të fotove, ku dëshmitarët identifikojnë personat të cilët i kanë njohur ndërmjet kryerësve të pretenduar të keqtrajtimit dhe rrëmbimit.

Sipas ZPS, ky informacion nuk do të ndikojë në ndryshimin e çështjes.

Duke kaluar në pikën tjetër të rendit të ditës, kryetarja e trupit gjykues Mappie Veldt – Foglia ka kërkuar konstatime shtesë nga mbrojtja rreth hetimeve që zhvillohen nga ata të cilat ende nuk kanë përfunduar.

Për këtë çështje, avokati Gilissen ka thënë që është shumë e vështirë për mbrojtjen të japin informata lidhur me këtë çështje derisa prokuroria ende nuk ka përfunduar me nxjerrjen e dokumenteve dhe ka kërkuar që këtë diskutim ta vazhdojnë në seancë private.

Ndryshe, sa i përket parashtrimeve lidhur me miratimin e një kornize për trajtimin e informacionit konfidencial dhe kontaktin me dëshmitarët, ka mospajtime në mes të palëve.

Në këtë linjë, ZPS e mbështetë një kornizë të tillë, ndërsa mbrojtja mendon se për momentin një kornizë e tillë nuk është e domosdoshme.

Avokati Auoini për kornizën ka thënë se mund ta marrin si model dhe ta përshtatin me nevojat e tyre dhe t’i japin një mundësi atij bashkëpunimi i cili përkon me qëllimin e mbrojtjes.

Mbrojtësi i viktimave, Simon Laws ka deklaruar se mbrojtja ka të drejtë një marrëveshje të tillë në bazë të mirëbesimit funksionon dhe korniza i përkufizon gjerat më ngushtë.Të ngjajshme

“Korniza e bën të domosdoshme incizimin e çdo interviste që zhvillohet p.sh. në mes të njërës palë dhe një dëshmitari”, ka thënë Laws.

Seanca ka vazhduar me diskutimin e fjalës hyrëse, ku mbrojtësi i viktimave Laws ka thënë se janë të gatshëm kurdo para fillimit të gjyqit të deklarohen për fjalën hyrëse, e cila është planifikuar të zgjasë rreth 2 orë.

Rreth kësaj kohe për fjalën hyrëse të mbrojtësit të viktimave, ka shprehur shqetësim mbrojtja e të akuzuarit, të cilët kanë thënë se i njëjti nuk është palë dhe se duket që është duke e marrë rolin e prokurorit.

Tutje, gjykatësja Veldt- Foglia duke iu drejtuar ZPS-së, ka cituar rregullën 149 të Rregullores lidhur me dëgjimin e dëshmitarëve ekspertë, duke thënë se ekspertët mund të thirren vetëm kur palët pajtohen për këtë.

Gjykatësja Veldt- Foglia, po ashtu ka bërë të ditur se këta ekspertë nuk janë pjesë e listave të ndryshuara të dëshmitarëve.

ZPS është përgjigjur duke thënë se nuk kanë marrë ndonjë kundërshtim sipas rregullës 149 dhe se nëse trupi gjykues kërkon që të përfshihen këta ekspertë në listën e ndryshuar të dëshmitarëve, atëherë ata janë shprehur të gatshëm ta bëjnë këtë veprim.

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka bërë të ditur se dëshirojnë ta bëjnë paraqitjen e provave në mënyrë të drejtpërdrejtë para gjykatës, megjithatë në disa raste do të dëgjojnë dëshmitë e disa dëshmitarëve përmes video-lidhjeve.

Në këtë konferencë, janë diskutuar edhe disa çështje të mbrojtjes së viktimave siç është çështja e ftesës së një psikologu klinik të specializuar në traumë dhe çështja e zhdëmtimit dhe kompensimit në rast se trupi gjykues do të marrë një vendim fajësie.

Seanca e radhës lidhur me këtë konferencë do të mbahet më 19 tetor 2020, mirëpo e njëjta do të transmetohet me 45 minuta vonesë.

Trupi gjykues i kryesuar nga Mappie Veldt- Foglia, ka caktuar konferencat përgatitore për gjykimin, në seancë të hapur, nga 18 deri më 20 tetor 2022 në prani të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), mbrojtjes, mbrojtësit të viktimave dhe Zyrës Administrative (Zyra për Mbrojtjen dhe Mbështetjen e Dëshmitarëve-ZMMD).

Të ngjashme