Gjatë gjithë gjysmës së parë të këtij viti nga 16 projekte kapitale të parapara nga Komuna e Prishtinës, vetëm për një prej tyre janë shpenzuar afro 50 mijë euro.
Drejtoria e Zhvillimit Ekonomik e kryeqytetit ka pasur në buxhet gati 2 milionë euro, dedikuar për këto investime gjatë vitit 2018, por ka shpenzuar vetëm 4 për qind të këtij buxheti.
Nga 16 projekte të rëndësishme, që kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik të kryeqytetit, 48.8 mijë euro janë shpenzuar për incizime gjeodezike, ndërsa për projektet e tjera të parapara që të realizohen gjatë këtij viti, siç janë: projektet për partneritet publik-privat, ai për promovimin e punësimit të të rinjve, për plotësimin dhe ndryshimin e Planit Zhvillior Komunal, për projektimin(si: salla koncertale. Pishina olimpike dhe Teatri i qytetit), pastaj ai për identifikimin e hartave strategjike të zhurmës, ai për hartimin e Hartës zonalet të Komunës së Prishtinës, ai për hartimin e projektit për realizimin e Parkut botanik, apo planet rregulluese, deri tashti nuk është shpenzuar asnjë cent i buxhetit të ndarë për to, përjashtuar shënimin e ditëve mjedisore për të cilin figuron të jenë zotuar për shpenzim afro 4 mijë euro.
Nga 15 projekte kapitale që kishte planifikuar t’i realizonte gjatë këtij viti, vetë Drejtoria e Investimeve Kapitale, rezulton se investime janë bërë në vetëm pesë prej tyre dhe atë në vlerë të përgjithshme prej afro 2 milionë eurosh, nga buxheti prej 1.3 milionë eurosh që ka pasur në arkë.