Ridënohet me 15 vjet burgim burri që i shkaktoi “lëndime të rënda trupore” bashkëshortes, e cila më pas vdiq në QKUK

Prishtinë | 16 Jan 2023 | 14:05 | Nga Ekonomia Online

Në rigjykim, Gjykata Themelore në Prizren, të hënën, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit Ilir Haxhiaj, duke e dënuar me 15 vjet burgim efektiv për akuzën se ushtroi dhunë në ditën kur i vdiq bashkëshortja.

Haxhiaj akuzohej se pas mosmarrëveshjeve të mëhershme me bashkëshorten e tij H.D, teksa kishte qenë duke vozitur, kishte ndalur makinën, kishte nxjerrë nga vetura me forcë tani të ndjerën dhe kishte filluar ta sulmojë fizikisht duke e grushtuar në të gjitha pjesët e trupit dhe pasi tani e ndjera ishte rrëzuar në asfalt të rrugës, ia ka kapur kokën dhe disa herë e ka goditur për asfalti. Më pas, H.D., kishte vdekur në QKUK.

Aktgjykimi ndaj të akuzuarit Haxhiaj u shpall të hënën, nga kryetarja e trupit gjykues Ajser Skenderi.

NJOFTIMI I PLOTË I GJYKATËS:

Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda (trupi gjykues), ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit I.H., i cili kishte shkaktuar lëndim trupor.

”I ka shkaktuar lëndim të rëndë trupor personit tjetër, deri në masën e tillë sa që
ka rezultuar përveç rrezikimit të jetës edhe në vdekjen e personit tjetër, në atë mënyrë që
me dt. 31 maj 2019, rreth orës 17:30 min. duke drejtuar veturën e tipit “………”, me ngjyrë
hiri me një targë përpara ……… në rr. “Gusia”, në dalje të fshatit Samadrexhë, në rrugën
“Avni Hodaj, rreth 400 metra larg rrugës kryesore Suharekë-Rahovec, ku ishte me
bashkëshorten e tij, tani të ndjerën H.D., të ulur mbrapa karriges së vozitësit, me të cilën
për shkak të mosmarrëveshjeve të mëhershme janë fjalosur, e pastaj e ka ndal automjetin
në anën e djathtë të rrugës në drejtim të lëvizjes, të njëjtën me forcë e nxjerr jashtë dhe kur
dalin jashtë në anën e djathtë të veturës, atëherë fillon ta sulmoj fizikisht duke e grushtuar
nëpër të gjitha pjesët e trupit dhe kur tani e ndjera është rrëzuar në asfalt të rrugës, ia kap
kokën dhe disa herë e godet për asfalti, ku për rrjedhojë pëson thyerje të kockës zverkore,
gjakderdhje masive në cipat e buta trunore, në indin trunor dhe në vertikuj, të cilat
dëmtime kanë shkaktuar trauma të shumëfishta në kokë, fytyrë, gjoks, shpinë dhe duar, lëndime këto të konstatuara në raportin e autopsisë nga Dr.F.B., ekspert mjeko-ligjor nga të cilat lëndime më vonë ajo vdes, në QKUK në Prishtinë me datën 15.06.2019.

Këso dore ka kryer veprën penale lëndim i rëndë trupor nga neni 186 par.5
lidhur me par.1 të KPRK.

Andaj Gjykata, në kuptim të Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale, të
akuzuarin e GJYKON:

DENIM ME BURGIM NË KOHËZGJATJE PREJ 15 (pesëmbëdhjetë) VITESH
Trupi gjykues ka vlerësuar se nuk ka qenë kontestuese se i akuzuari me të ndjerën
vazhdimisht kanë pasur mosmarrëveshje, pasi që edhe dëshmitarët dhe vet i akuzuari
ka deklaruar këtë fakt, andaj për Gjykatën është fakt i pa kontestuar se në vazhdimësi
ndaj të ndjerës nga ana e të akuzuarit ka pasur maltretime dhe keqtrajtime fizike e
psiqike.

Sipas udhëzimeve të Gjykatës Supreme, në rigjykim është bërë ri-konstruktimi i vendit
të ngjarjes.

Gjykata ia fali besimi konstatimit të ekspertit komunikacionit se rasti nuk ka mund të
jetë aksident i komunikacionit, me rastin e lëndimeve të pësuara nga e dëmtuara.
Pas shpalljes së aktgjykimit, kryetari i trupit gjykues ka njoftuar palët që brenda afatit
ligjor të gjithë palët në procedurë do të pranojnë aktgjykimin e plotë në formë të
shkruar dhe të arsyetuar.

Kundër këtij Aktgjykimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.

SHËNIM: Gjykata Themelore në Prizren, me datë 03 shkurt 2021, të akuzuarin
I.H., për veprën penale si më lartë e kishte dënuar me 15 vite burgim.

Pas ankesave në Gjykatën e Apelit, kjo e fundit kishte refuzuar si të pabazuar
ankesën e mbrojtësit të të akuzuarit dhe aktgjykimin e gjykatës së shkallës së
parë e kishte vërtetuar.

Gjykata Supreme, ka aprovuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë, dhe ka
kthyer rastin në rigjykim në Gjykatën Themelore në Prizren”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Të ngjashme