Në Ditën Ndërkombëtare të Monumenteve, vizitorët do të mund të kenë mundësi të vizitojnë falas të gjitha monumentet dhe sitet arkeologjike të vendit tonë.
Ministrja e Kulturës Elva Margariti shprehet se, ”nëse ende nuk keni vizituar muzetë apo sitet arkeologjike që ndodhen pranë qytetit tuaj apo kudo në Shqipëri, kjo është dita! Muzetë dhe parqet arkeologjike në të gjithë vendin, hapin dyert për vizitorët. Në Ditën Ndërkombëtare të Monumenteve, në 18 prill, hyrja në to do të jetë falas”.
”Ndërkaq do të keni mundësi të shijoni jo vetëm pasuritë e trashëgimisë kulturore, por të merrni pjesë edhe në aktivitetet që do të zhvillohen pranë tyre: ekspozita fotografike, promovime librash, koncerte, trajnime, punëtori, leksione të hapura etj”, shprehet Margariti.
Vizitorët dhe turistët e huaj mund të vizitojnë plot monumente kulture dhe site si atraksione turistike dhe historike që nga parqet arkeologjike të Amantias, Orikut, Finiqit, Apolonisë, parkun arkeologjik të Bylisit, Antigonenë, si dhe Butrintin.
Gjithashtu turistët mund të vizitojnë edhe disa kala si në Shkodër, Berat, Lezhë, Krujë, kalanë e Kaninës, të Himarës, Porto Palermos, por edhe kishën e Shën Kollit në Mesopotam dhe rrënojat e Manastirit të 40 Shenjtorëve në Sarandë.
Hyrja falas në këto monumente inkurajon rritjen e numrit të vizitorëve vendas dhe të huaj, dhe zgjerimin e turizmit kulturor.