Radarët e policisë rrugore po “bëjnë namin” në Shqipëri, ku viktimë e tyre kanë rënë edhe shumë shtetas të huaj.
Sipas statistikave të Policisë Rrugore në Shqipëri, deri më tani gjatë këtij sezoni turistik u është pezulluar leja e drejtimit më shumë se 150 drejtuesve të automjeteve, që janë penalizuar për shpejtësi tej normave të lejuara apo parakalim të gabuar dhe kundërvajtje, shkruan sot Koha Ditore.
Shumica janë shtetas nga Kosova, por ka edhe çekë, polakë dhe italianë, të cilët, sipas procedurave duhet të sorollaten me javë të tëra në institucionet shqiptare për të tërhequr patentën. Vetëm në autostradën Tiranë-Durrës, gjatë 48-orëve të fundit janë pezulluar 39 leje drejtimi për shpejtësi tej normave të lejuara.
Të shtunën në Tiranë gjatë një takimi me homologun shqiptar Fatmir Xhafaj, ministri i Brendshëm i Republikës së Kosovës, Bejtush Gashi, trajtoi shqetësimin që ka të bëjë lidhur me sigurinë rrugore të shtetasve kosovarë gjatë sezonit veror dhe posaçërisht lidhur me patentat, me mënyrën se si trajtohen rastet e menaxhimit të këtyre patentave kur krijohen probleme për shkak të mosrespektimit të rregullave, ku duhet një procedurë e gjatë për t’i kthyer ose për t’ua ridhënë në përdorim patentë mbajtësve përmes një burokracie shumë të gjatë, që ka aktualisht Shqipëria.