Delegacioni i Kuvendit të Kosovës, i kryesuar nga nënkryetari Xhavit Haliti, po merr pjesë në diskutimet e komisioneve të APKiE-së
Delegacioni i Kuvendit të Republikës së Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, po merr pjesë në Sesionin e 1-rë të APKiE-së për vitin 2018, i cili po mbahet në Strasburg të Francës.
Gjatë këtij sesioni, delegacioni i Kuvendit të Kosovës merr pjesë edhe në diskutimet e komisioneve të APKiE-së, si dhe diskutimeve aktuale në çështjet evropiane. Këto tema përfshijnë: Rolin e Këshillit të Evropës në procesin e paqes në mes të Palestinës dhe Izraelit, intervenimin e Turqisë në Siri, mbrojtjen dhe promovimin regjional të gjuhëve minoritare në Evropë, mbrojtjen e fëmijëve të ndikuar nga vendet që janë në konflikte, imunitetin juridik të organizatave ndërkombëtare dhe të drejtat e stafit të tyre, forcimin e rregullave ndërkombëtare kundër tregtisë së mallrave të përdorura për torturë dhe dënimin me vdekje.
Komisioni për Çështje Politike dhe Demokraci i APKiE-së nesër do të diskutojë për Situatën në Kosovë ku raportues është deputeti nga Spanja, Jordi Roca. Delegacioni i Kuvendit të Kosovës, i kryesuar nga Xhavit Haliti dhe anëtarët: Aida Dërguti, Ismet Beqiri dhe Mufera Sinik, përveç takimeve me delegacionet e vendeve anëtare në APKiE, ka zhvilluar takim me raportuesin për Kosovën, Roca, ku janë diskutuar temat aktuale me të cilat Republika a Kosovës po përballet tani. Delegacioni i Kosovës ftoi Roca për vizitë në Republikën e Kosovës dhe theksoi se qëndron i hapur për bashkëpunim, në mënyrë që raporti të paraqes situatën reale të Kosovës.
Raportuesi, Roca, theksoi se është në shërbim të qytetarëve të Kosovës, do të qëndrojë i paanshëm politikisht dhe do të jetë bashkëpunues në raportin për Kosovën, e cila ka një rëndësi të veçantë për integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian.
Kryesuesi i këtij delegacioni, Haliti, po ashtu ka zhvilluar një takim me Kryesuesin e delegacionit të Bundestagut gjerman në APKiE, Peter Beyer. Temat që u diskutuan në këtë takim përfshijnë: sigurinë në Kosovë, çështjen e ngritjes së statusit të delegacionit të Kuvendit në këtë organizatë, luftën kundër korrupsionit, anëtarësimin në GREKO (organizate e shteteve të Evropës kundër korrupsionit), çështjen e statusit në CEB, demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, si dhe çështjen e Gjykatës Speciale.