Studentët e Fakultetit të Gazetarisë pranë Universitetit të Tetovës, gjatë semestrit të 8, si lëndë obligative kanë edhe Praktikën Profesionale. Studentët këtë lëndë e zhvillojnë pa pagesë nëpër institucione si televizione, radio dhe gazeta, por Fakulteti prapëseprapë kërkon që studentët të paguajnë nga 50 euro për kryerjen e praktikës. Shumica e studentëve shprehen kundër kësaj pagese por kanë frikë të deklarohen para kamerës së Alsat me pretendimin se mund të pësojnë probleme gjatë kryerjes së studimeve.
“Mua më duket shtrenjtë dhe ne kemi kryer praktikën në mediume private, kurse të hollat duhet t’i dedikojmë në llogari të Universitetit. Nuk dihet pse të na kërkohet një pagesë e tillë. Janë disa studentë që kanë bërë pagesën por edhe ata duan të dinë arsyen e kësaj pagese por janë të obliguar. Nuk ka ndonjë datë të caktuar as edhe njoftim për këtë pagesë. Unë sa kam informata rrezikohet të hysh në provim dhe më tutje rrezikohet diplomimi i studentit”, u shpreh një student.
Të Pyetur nga Alsat për ankesat e studentëve përse paguajnë praktikën prej 50 euro nga Universiteti i Tetovës u përgjigjën vetëm se pagesa është në përputhje me Ligjin për Arsim të Lartë si dhe Statutin dhe rregulloren e Universitetit.
“Senati i Universitetit, në mbledhjen e mbajtur me 11 Qershor 2014 ka sjellë vendimin për lartësinë e mjeteve financiare në emër të participimit dhe të bashkëfinancimit, si dhe harxhimeve të tjera për studime në ciklin e parë dhe të dytë të studimeve universitare. Edhe pagesa e praktikës së studentëve të programit studimor të Gazetarisë realizohet në përputhje me Ligjin për arsim të lartë dhe vendimin e lartpërmendur”, thuhet në reagimin e UT-së.
Pagesë të njëjte për kryerjen e praktikës profesionale e bëjnë edhe studentet e fakulteteve tjera siç janë, Fakulteti i Shkencave Matematikore Natyrore, programi studimor Biologji, Kimi-Fizik, Fakulteti Filologjik programi studimor Gjuhë dhe letërsi Angleze, Gjuhë dhe letërsi Gjermane.