Në “Universum” diplomojnë 1500 studentë në Master e Bachelor, u vendoset edhe logoja e Universitetit të Arizonës

Prishtinë | 21 Qer 2023 | 17:31 | Nga Hana Lohaj

Rreth 1500 studentë të gjeneratës 2022/2023 kanë diplomuar të mërkurën në programet e studimit Master dhe Bachelor të ofruara nga Kolegji Ndërkombëtar Universum. Kjo është gjenerata e parë që në diplomat e tyre do të figurojë edhe logoja e Universitetit të Arizonës, raporton Ekonomia Online.

Të pranishmit thanë se të diplomuarit do të jenë të gatshëm për tregun e punës dhe se sfidat që kanë kaluar për këto vite, do t’u shërbejë për të ardhmen.

Ngjarja u hap nga zëvendësdrejtori i Kolegjit “UNI Universum International College”, Uran Rraci i cili ndër të tjera tha se është i vetëdijshëm për sakrificat e bëra nga të gjithë studentët e pranishëm.

Tha se çdo sfidë e kaluar po kurorëzohet sot, duke mos harruar ta përmend edhe përkrahjen e palëkundur të prindërve e familjarëve që sot gëzojnë bashkë me ta.

Rraci nuk la pa përmendur një veçanti që kolegji “Universum” ku kishte përjetuar së fundmi; partneritetin dhe lidhjen e aleancës me universitetin më të madh publik në SHBA, atë të “Arizona State Univeristy”.

“Tash e tutje ata që do pajisen me diplomë nga UNI Universum do të kenë diplomën e fuqizuar nga vetë Arizona State University duke shënuar kështu edhe bashkëpunimin që këto dy universitete do kenë në mes vete falë partneritetit dhe aleancës së lidhur së fundmi”, tha Rraci.

Shqipe Gërguri Rashiti, profesoreshë si dhe rektore e “UNI Universum International College” dha fjalën përshëndetëse duke përmendur rëndësinë e fuqizimit të vajzave dhe grave, e njëkohësisht tregoi për rolin e studentëve të Universumit si agjentë të ndryshimit pozitiv.

Ajo numëroi sukseset e “UNI Universum College” duke treguar për bashkëpunimin e fundit ndërmjet tyre dhe “Arizona State University dhe shkëmbimet studentore në të cilat mbi 1000 studentë të Universumit kanë qenë përfitues dhe pjesëmarrës të këtyre bashkëpunimeve ndërkombëtare.

Studentja Ardita Hoti, e cila diplomoi në nivelin master tha se ndihet tejet me fat që ka qenë e përzgjedhur për të qenë pjesë e programit të shkëmbimit “Erasmus”.

Ajo falënderoi Universumin për mundësitë që tha se i ka dhënë ky universitet.

Falënderime pati edhe studentja Entelë Kabashi. Tha se ndihet tejet e emocionuar për këtë ditë, teksa nuk i fshehu as emocionet e saj.

Të ngjashme