Në vend se të ishin në fushën e stadiumit në Shkup, lojtarët e Kosovës janë të bllokuar në shtëpitë e tyre

Prishtinë | 26 Mar 2020 | 20:02 | Nga Ekonomia Online

Sonte prej orës 20:45 është dashur të zhvillohet ndeshja në mes të Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, që është shpresuar se do të afrojë “dardanët” me Evropianin e futbollit.

Por ndeshja e paraparë të zhvillohet në stadiumin “Todor Proeski” në Shkup, është shtyrë për më vonë, njëjtë si Evropiani i futbollit, që do të zhvillohet në verën e vitit 2021.

Është caktuar që ndeshja në mes të Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës të zhvillohet më 4 qershor në Shkup, por me gjendjen aktuale me koronavirus kjo nuk është fare e sigurt.

Në fakt përhapja e koronavirusit në gjithë botën dhe rëndimi i gjendjes në Evropë ka bërë që të shtyhen ndeshjet e plejofit për Euro 2020 e po ashtu i gjithë Evropiani i paraparë për këtë verë.

Ka javë që futbolli në gjithë Evropën, duke përfshirë Kosovën, është i pezulluar. I pezulluar është edhe futbolli i nivelit evropian, ndërsa nuk ka datë se kur do të vazhdojnë garat. Mundësia po rritet që kampionatet nacionale dhe kupat evropiane të zhvillohen gjatë muajve të verës. Por ngadalë në horizont po del edhe mundësia e anulimit të edicionit aktual. Thirrje për të bërë këtë ka tashmë.

Për shkak të shtyrjes së ndeshjes me Maqedoninë Veriore dhe situatës me koronavirus, shumica e lojtarëve të Kosovës, nëse jo të gjithë, janë në shtëpitë e tyre të izoluar. Izolimi po vlerësohet arma kryesore në luftë ndaj koronavirusit.

Thirrjet e sportistëve në gjithë botën për të qëndruar në shtëpi dhe për të shmangur kontaktin me të tjerët janë të vazhdueshme. Thirrje të tilla kanë bërë edhe sportistët kosovarë, duke përfshirë edhe lojtarët e përfaqësueses së futbollit.

Ndeshja me Maqedoninë Veriore vlerësohet më e rëndësishmja në historinë e deritashme të Kosovës. Nëse “dardanët” e fitojnë atë ndeshje, do të jenë vetëm një fitore tjetër larg evropianit. Në finale të plejofit, më 9 qershor, Kosova do të luante me Gjeorgjinë apo Bjellorusinë, prapë në udhëtim.

Futbollistët e Kosovës po vazhdojnë në shtëpi ushtrimet, për shkak të pezullimit të stërvitjeve në klubet evropiane. Thuajse të gjithë lojtarët kanë marrë instruksionet nga klubet se si të mbajnë formën me ushtrime në shtëpi.

Tani për të gjithë, edhe për futbollistët, prioritet është luftimi i koronavirusit.

“Është periudhë e rëndë, jo vetëm për futbollin por për të gjithë. Është vështirë edhe për ne kjo situatë. Mezi e kemi pritur këtë ndeshje të madhe kundër Maqedonisë. Jemi përgatitur gjatë për këtë ndeshje”, ka thënë për Koha.net, Leart Paqarada, njëri prej reprezentuesve të Kosovës.

Kosova e ka fituar rastin të luaj në plejof, falë suksesit në Ligën D të Ligës së Kombeve të UEFA-s. Në kualifikimet e rregullta për Evropian, Kosova pati kampanjë historike, por jo të mjaftueshme për të siguruar biletën për “Euro 2020”. Ajo shpresohet të fitohet në dy ndeshjet e plejofit.

Të ngjashme