Në zgjedhjet e qershorit në Shqipëri PS-ja shkon në koalicion me 24 parti

Prishtinë | 01 Maj 2019 | 09:19 | Nga Ekonomia Online

Partia Socialiste në Shqipëri ka zyrtarizuar koalicionin parazgjedhor me aleatët e saj. Janë 24 parti politike që do të garojnë si koalicion së bashku me PS.

Deklarata:

Koalicioni “Aleanca për Shqipërinë Europiane” konsideron zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme si objektiv parësor të procesit të votimeve për organet e pushtetit vendor në 30 qershor 2019.

Anëtarët e këtij Koalicioni jo vetëm garantojnë përkushtimin ndaj këtij qëllimi të partive që janë pjesë e këtij bashkëpunimi, por i bëjnë thirrje çdo subjekti politik, brenda dhe jashtë garës ti shërbejnë këtij objektivi kombëtar.

Gjithashtu partitë tona nxisin Administratën Zgjedhore dhe agjencitë e zbatimit të ligjit të garantojnë zbatimin rigoroz e me tolerancë zero të standardeve zgjedhore ligjore sidomos në numërimin korrekt të çdo vote të subjekteve zgjedhore dhe eliminimin e çdo tentative për shitblerje të votës.

Koalicioni ynë e vlerëson zhvillimin në standarde ndërkombëtare të zgjedhjeve si tejet domethënës për procesin e hapjes së negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Europian. Ne ftojmë çdo parti politike në vend t’i shërbejë këtij objektivi me rëndësi strategjike të Shqipërisë tonë në pragun e vendimmarrjes për këtë çështje në muajt në vijim.

Zgjedhjet e 30 qershorit janë zgjedhje administrative por që kanë rëndësi politike të madhe në kuadër të ambicieve politike të të gjithë subjekteve partiake. Mospjesëmarrja në zgjedhje e disa subjekteve nuk është përgjegjësi e qeverisë, por e llogarive të gabuara dhe kundërproduktive të lidershipit të këtyre subjekteve që interesat e ngushta personale i kanë vënë mbi interesat kombëtare.

Dhuna mbi zgjedhjet dhe përsëritje e skenarëve të vitit ’96 mbi vullnetin e zgjedhësve nuk do të tolerohet jo vetëm nga qytetarët dhe organet shtetërore, por edhe nga komuniteti ndërkombëtar.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme