Në Zhegër të Gjilanit, më 1, 2 dhe 3 Maj, mbahet manifestimi tradicional kulturor “Ditët e Agimit 2017”, që i kushtohet figurës poliedrike të heroit Agim Ramadani.
Manifestimi mbahet nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës, Lutfi Haziri, ndërsa realizohet nga Shoqata Kulturore “Ditët e Agimit”.
“Ditët e Agimit” nisin më 1 maj, me aktivitetet “Edhe me sport kujtojmë Agimin”, me ç’rast do të ketë turnir në futboll të vogël, turnir të shahut dhe në mbrëmje, nga ora 19, ndezja e flakadanëve në përkujtim të 114 dëshmorëve të Betejës së Koshares.
Aktivitetet vazhdojnë më 2 maj, me orën e madhe letrare “Muza e Agimit”, si dhe me ngjarjen sportive ne hendboll.
Më 3 maj, mbahen aktivitetet për kremtimin e ditës së shkollës SHFMU “Agim Ramadani” si dhe ditëlindjes së heroit, me vendosjen e kurorave të luleve te shtatorja e Agim Ramadanit në Gjilan si dhe me “Krosin e Lirisë”, (nga varri i Idriz Seferit deri te kroi i Agimi), për t`u përmbyllur me tubimin qendror “I këndojmë Agimit”.