Nekrofilia politike e një mendësie të padenazifikuar

Prishtinë | 01 Sht 2026 | 15:59 | Nga Albinot Maloku

Fenomeni i nekrofilisë politike në Serbi nuk mund të shpjegohet vetëm përmes nacionalizmit, propagandës apo kalkulimeve politike të momentit. Në thelb, ai është pasojë e një mendësie politike e shoqërore që nuk ka kaluar një proces serioz denazifikimi dhe përballjeje me të kaluarën kriminale. Përkundër një mahalle intelektuale të iluminuar që ka artikuluar nevojën për një përballje të tillë, shoqëria serbe nuk e ndjen nevojën  e katarsisit të domosdoshëm.

Për dekada, gjenerata të tëra janë rritur pa një përballje të sinqertë me krimet e kryera në emër të tyre. Përkundrazi, në shumë raste autorët e krimeve janë rehabilituar, mitizuar dhe shndërruar në simbole gati sakrale. Përgjegjësia është zëvendësuar me viktimizimin, ndërsa mohimi është kthyer në instrument të mobilizimit politik. Kjo mendësi është ushqyer nga faktorë politikë, religjioz, institucionalë e shoqërorë, por një ndër faktorët përcaktues ka qenë edhe mungesa e një presioni të qëndrueshëm ndërkombëtar për përballjen me krimet e së kaluarës dhe për edukimin e gjeneratave të reja mbi to.

Njëzet e shtatë vite pas përfundimit të luftërave në ish-Jugosllavi, problemi mbetet aktual. Mohimi i krimeve vazhdon të jetë i pranishëm në diskursin publik, ndërsa tentohet edhe relativizimi ose deformimi i kuptimit të vetë nocioneve si gjenocidi dhe krimet e luftës. Kur mohimi dhe glorifikimi i kriminelëve nuk prodhojnë pasoja politike e institucionale, ato gradualisht normalizohen. Shembuj të tillë nga kontekste të tjera, si rasti i fundit i shkatërrimit të një monumenti palestinez kushtuar fëmijëve të vrarë nga ultra-nacionalisti izraelit Zvi Sukkot, tregojnë se mungesa e ndëshkimit tё akteve të mohimit mund të shndërrohet në precedent dhe model për të tjerët. Orgjia mbi Urën në Drin të Vishegradit ku përmes fishekzjarreve dhe kulteve fetare glorifikohet krimi i gjenocidkryesit Mlladiq pas ikjes së tij nga kjo botë është shembulli më eklatant i shpjegimit tonë.

Në këtë kuadër, edhe faktori ndërkombëtar mban një pjesë të përgjegjësisë. Për vite me radhë, në emër të “stabilitetit”, “dialogut” dhe interesave strategjike, është toleruar një nivel i lartë i relativizimit politik të së kaluarës. Është kërkuar mirëkuptim aty ku duhej kërkuar përgjegjësi dhe është zgjedhur pragmatizmi aty ku duhej vendosur një vijë e qartë morale e politike. Por mungesa e reagimit ndaj mohuesve dhe glorifikuesve të krimeve nuk prodhon stabilitet; vetëm e shtyn për më vonë përballjen me një të kaluar që ende nuk është mbyllur.

Në librin e saj “Liria”, ish-kancelarja gjermane Angela Merkel, duke folur për vizitën në Yad Vashem dhe respektin ndaj viktimave të nacionalsocializmit, sjell shembullin gjerman të përballjes me një periudhë të errët të historisë kombëtare. Për Merkelin, liria nuk është vetëm çlirimi nga diktatura, nazizmi apo padrejtësia; ajo nënkupton edhe pjesëmarrjen në përgjegjësi: përgjegjësinë ndaj së kaluarës, së tashmes dhe së ardhmes. Në këtë kuptim, çlirimi i një kombi fillon atëherë kur përgjegjësia merr formë politike dhe shoqërore.

Mungesa e përgjegjësisë e ngulfat lirinë dhe, rrjedhimisht, edhe demokracinë. Pikërisht këtu qëndron paradoksi i Serbisë së sotme: si është e mundur që, pas 27 vitesh, ende të mos jetë konsoliduar një forcë politike që e pranon qartë se luftërat e zhvilluara në emër të Serbisë i kanë sjellë vendit humbje dhe deformim demokratik? Pa një përballje të tillë dhe pa një proces të mirëfilltë denazifikimi të mendimit politik e shoqëror, e kaluara vazhdon të qeverisë të tashmen. Dhe aty ku e kaluara kriminale glorifikohet në vend se të përballet, nekrofilia politike lёre qё nuk eliminohet, por shndërrohet në standard.

Të ngjashme