Dhimbjet e mëdha për situatën ekonomike në të cilën gjendej nëna 19 vjeçare nga qyteti i Ferizajt, i mbaruan sot.
Lajmi.net raportoi sot se Fatime Abazi po kërkon punë për të rritur djalin e saj 2 vjeçar dhe që nga nesër ajo do të nisë punën në njërën ndër kompanitë kosovare.
Lutjeve dhe kërkesës së Abazit, iu përgjigj kompania e orendive shtëpiake më të madha në vend “Jysk”.
E martuar në moshë të re e më pas e ndarë, ajo e vetme detyrohet të kujdeset për fëmijën e saj dy vjeçar edhe pse në kushte të vështira jetese.
Fatmija gjatë ditës së sotme kërkoi nga njerëzit e vullnetit të mirë që ta ndihmojnë që të paktën ta ketë një punë përmes së cilës do ta rrisë djalin e saj.
Express, ka kontaktuar me 19 vjeçaren nga Ferizaj. Ajo me emocione ka shpjeguar momentin kur mori lajmin e punësimit.
“Nuk po mund ta besoj. Që prej nesër unë do të filloj punën në Jysk. Sërish lindën shpresat për mua dhe djalin tim”, ka thënë Fatime Abazi.