Nënkryetarja Sahatçiu reagon pas shkarkimit të drejtorit të PDK-së – Revanshi i Përparim Ramës ka emër: Badovc

Prishtinë | 02 Shk 2024 | 17:05 | Nga Ekonomia Online

Nënkryetarja e Komunës së Prishtinës, Donjeta Sahatçiu, ka reaguar pasi kryetari Përparim Rama njoftoi nëpërmes një njoftimi në facebook se ka shkarkuar drejtorin Ilirik Musliu, i cili vjen nga radhët e PDK-së, sikur tha ai për shkak të mosmenaxhimit të mirë të situatës me mbeturina në kryeqytet.

Por sipas Sahatçiut, e cila po ashtu i takon PDK-së, ky shkarkim nuk ka fare të bëjë me mbeturina as me Ilirikun, por vjen pasi “si PDK ritheksuam publikisht qëndrimin tonë politik që nuk do të mbështesim me asnjë kusht propozimin e tij për këmbim pronash me epiqendër zonën e Badovcit dhe çdo propozim tjetër që dëmton interesin publik”.

“Shkarkimi i fshehur i Ilirik Musliut sot përmes rrjeteve sociale, pa e komunikuar tek ai dhe askush tjetër rreth tij, është revansh i pastër. Na duket si revash politik por nga një jopolitikan si Përparim Rama, revanshet janë personale”, ka theksuar Sahatçiu.

“Më 2 shkurt 2022 me Ilirikun iu bashkuam qeverisjes në Prishtinë. Më 2 shkurt 2024, Përparim Rama filloi revanshin publik”, ka shkruar ajo në Facebook.

POSTIMI I PLOTË:

Ilirik Musliu ka qenë motorri i qeverisjes së mirë të PDK në Prishtinë. Me Ilirik Musliun, problemi i mbeturinave as nuk ka fillu e as nuk ka pasë mundësi me u mbyll. Ky është problemi më kompleks i Kryeqytetit, e për këtë kemi shumë për të thënë.

Përparim Rama në dhjetor dha urdhër për fillimin e procedurave të prokurimit për digjitalizim në arsim pa njohurinë time pasi unë, në cilësinë e U.D. Drejtore e Arsimit, nuk pata pranuar të nënshkruaj deklaratë disponueshmërie për një proces të dëmshëm, pa leje nga ASHI, kundër rekomandimeve të auditorit, me specifika e planifikim buxheti skandaloz. Njejtë, Përparim Rama, si Zyrtar Kryesor Administrativ, ka mundur të jep urdhër për çfarëdo procesi që paska mundur të rregullojë menaxhimin e mbeturinave, pa njohurinë dhe përfshirjen e Ilirikut. Pse nuk e ka bërë, e din ai vetë.

Shkarkimi i fshehur i Ilirik Musliut sot përmes rrjeteve sociale, pa e komunikuar tek ai dhe askush tjetër rreth tij, është revansh i pastër. Na duket si revash politik por nga një jopolitikan si Përparim Rama, revanshet janë personale.

Ky shkarkim, që i madh e i vogël sot në Prishtinë e di se nuk ka fare të bëjë me mbeturina e me Ilirikun, vjen pasi si PDK ritheksuam publikisht qëndrimin tonë politik që nuk do të mbështesim me asnjë kusht propozimin e tij për këmbim pronash me epiqendër zonën e Badovcit dhe çdo propozim tjetër që dëmton interesin publik.

Më 2 shkurt 2022 me Ilirikun iu bashkuam qeverisjes në Prishtinë. Më 2 shkurt 2024, Përparim Rama filloi revanshin publik.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme