Nënshkruhet kontrata për magjistralen Prishtinë – Vushtrri, 25 milionë euro për “Eskavatorin” dhe një kompani bullgare

Prishtinë | 08 Shk 2024 | 11:22 | Nga Valmire Abdullahu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPH) ka nënshkruar kontratën për vazhdimin e Projektit të Rrugës Nacionale Prishtinë – Mitrovicë, e cila ka filluar së ndërtuari qysh në vitin 2009, raporton Ekonomia Online.

Ministri Liburn Aliu, në një konferencë për medie së bashku me zëvendësin e tij, Hysen Durmishi, prezantuan vendimin e shumëpritur, sikur u shpreh ai. Edhe pse Aliu e quajti Rrugë Nacionale Prishtinë – Mitrovicë, në fakt bëhet fjalë për segmentin nga Lumi i Madh deri në Gojbulë (që janë në territorin e komunës së Vushtrrisë), me një gjatësi prej 9.78 km.

“Sapo e nënshkruam kontratën për zgjerimin e rrugës që lidh Prishtinën me Mitrovicën. Projekt që ka qenë temë diskutimi në një kohë të gjatë, mbase projektet me të stërzgjatura të pasluftës në Kosovë. Jemi duke shkuar në përfundim të tij, meqenëse arritëm sot ta nënshkruajmë kontratën”, deklaroi kreu i MMPH-së.

Ai ka shpjeguar se ky projekt do të financohet nga huamarrja nga Fondi i OPEC-ut për Zhvillim Ndërkombëtar (OPEC Fund) në bashkëfinancim me Fondin Saudit për Zhvillim (Saudi Fund for Development SFD), me një vlerë kontrate prej 25 milionë euro dhe kohëzgjatje ekzekutimi prej 12 muajsh.

kontrata e mëparshme ishte shkëputur para një viti, pas procedurës së auditimit. “Na zgjatën procedurat për një vit por presim që të kemi rezultate te mira”, ka thënë ai.

“Më datën 2 tetor 2023, publikuam njoftimin për dorëzimin e ofertave për ekzekutimin e punimeve në Projektin e Rrugës Nacionale N2 Prishtinë – Mitrovicë, segmenti nga Lumi i Madh deri në Gojbulë, me një gjatësi prej 9.78 km, e sot, nënshkruam kontratën për fillimin e punimeve”.

P”unët ndërtimore përfshijnë zgjerimin e rrugës ekzistuese, duke e transformuar atë nga një rrugë me dy korsi në një rrugë me dy drejtime të ndara, secila me dy korsi të gjerë 3.75 m, dhe korsi ndihmëse në të dyja anët me gjerësi 2.0 m, si dhe objekte dhe struktura infrastrukturore të tjera (vepra të artit/ura)”.

Operatori Ekonomik është konsorciumi “JV HYDROSTROY JSC SOFIA & ESKAVATORI LLC” nga Bullgaria dhe Kosova. Gjithashtu, Kompania “IC Consulenten” nga Austria është angazhuar për mbikëqyrjen e punimeve në këtë segment, duke kryer rolin e Inxhinierit të pavarur për mbikëqyrjen e ekzekutimit të të gjitha punimeve.

Hysen Durmishi tha se janë në negociata me fondin OPEC që të financohet edhe pjesa tjetër e segmentit që nis nga fshati Smrekonicë e deri në Mitrovicë. Durmishi tha se ky segment nuk ka qenë pjesë e kontratës dhe të huamarrjeve.

Të ngjashme