Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare (MPFVLÇ) dhe Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) kanë nënshkruar Marrëveshjen e Zbatimit për projektin “Fuqizimi Ekonomik i Grave (EEW)”, i cili synon të rrisë mundësitë e grave në tregun e punës dhe të përmirësojë përfshirjen e tyre ekonomike në Kosovë.
Projekti do të fokusohet në krijimin e kushteve më të mira strukturore, individuale dhe sociale për gratë, me vëmendje të veçantë ndaj grave nga zonat rurale dhe kategorive më pak të përfaqësuara.
Përmes kësaj iniciative parashihet përmirësimi i shërbimeve të punësimit, forcimi i kapaciteteve institucionale, orientimi në karrierë, aftësimi profesional dhe promovimi i politikave aktive të tregut të punës, me qëllim krijimin e mundësive të reja për pjesëmarrjen e grave në jetën ekonomike.
Në kuadër të projektit do të ketë bashkëpunim të ngushtë edhe me Agjencinë e Punësimit të Republikës së Kosovës për mbështetjen e ndërmarrjeve sociale. Për këtë qëllim do të krijohet një grup i përbashkët pune dhe do të zhvillohet një vlerësim i nevojave, i cili do të shërbejë si bazë për planifikimin e aktiviteteve të ardhshme.
Marrëveshja e nënshkruar është pjesë e bashkëpunimit zhvillimor ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë në kuadër të marrëveshjeve për bashkëpunim ekonomik dhe teknik mes dy vendeve.
Palët vlerësuan se ky projekt përbën një hap të rëndësishëm në mbështetjen e zhvillimit ekonomik dhe social të Kosovës, duke kontribuar në rritjen e mundësive për punësim dhe fuqizimin e rolit të grave në ekonomi dhe shoqëri.