Ministria e Integrimit Evropian dhe Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP), në bashkëpunim me ekipin e agjencive të KB-së, kanë nënshkruar Memorandum Mirëkuptimi, për ta mbështetur këtë ministri në procesin integrues, në fusha si zbatimi i MSA-së dhe Agjenda Evropiane e Reformave.
Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, tha se ministria është e përkushtuar të punojë në reforma që përmirësojnë jetën e qytetarëve, raporton Ekonomia Online.
Ajo tha se Ministria e Integrimit është duke punuar në përmbushjen e agjendës evropiane që e ofrojnë Kosovën me BE-në.
“Në një moment shumë të ngjeshur për ne kemi parë të nevojshme të nënshkruajmë një memorandum për një fushë të rëndësishme për ne. Dita e sotme është e një rëndësie të veçantë, sepse po vërtetohet që po na pret një punë shumë e madhe në përkrahje të implementimit të stabilizim asocimit. Ministria e Integrimit është duke punuar në përmbushjen e agjendës evropiane që e ofrojnë Kosovën afër BE-së”.
“Partneriteti global për zhvillim na thërret për partneritet vendor dhe ndërkombëtar, na thërret për përkrahje dhe zbatim të legjislacionit për përmirësim të jetës së qytetarëve. Edhe pse institucionet nuk bartin të gjithë përgjegjësinë ne po e bartim përgjegjësinë për sfida dhe reformat kërkojnë buxhet shtesë dhe jemi të përkushtuar që këto reforma t’i çojmë përpara”, tha ajo.
Koordinatorja për Zhvillim e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Ulrika Richardson, tha se përmes këtij bashkëpunimi do ta ndihmojnë Kosovën në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian, raporton EO.
“Në fakt e vlerësojmë partneritetin me Ministrinë e Integrimeve dhe tani jemi duke shikuar që ta planifikojmë të ardhmen, ne po e intesifikojmë bashkëpunimin. Kur po shikojmë për integrimin evropian është e rëndësishme të shikohet progres në jetën sociale të njerëzve. Familja evropiane shikon edhe të drejtat e njeriut”.