Nëntë komuna do të kenë rënie të buxhetit në investime kapitale

Prishtinë | 19 Nën 2024 | 19:37 | Nga Bekim Salihu

Nëntë komuna do të kenë rënie të buxhetit në investime kapitale për vitin 2025: Shtime, Dragash, Fushë Kosovë, Kllokot, Obiliq, Vushtrri, Junik, Mamushë dhe Zveçan. Komuna që do të ketë rritje (sipas vlerës) me të madhe të buxhetit në kapitale është Gjakova.

Nga 3,595,508,788 euro që do të jetë buxheti i Kosovës në vitin 2025, niveli lokal i pushtetit do të menaxhojë 788,294,716 euro, ose 22% të totalit të buxhetit. Krahasuar me vitin 2024, përqindja e buxhetit për nivelin lokal në vitin 2025 do shënoj rritje për 6.11%. Në vlerë absolute, rritja totale do të jetë 46 milionë euro

Në kategorinë e pagave, komunat pritet të shpenzojnë 373 milionë euro, një rritje prej 4.06% krahasuar me vitin 2024. Në kategorinë e mallrave dhe shërbimeve, niveli lokal planifikon të shpenzojë 132 milionë euro, një rritje prej afro 11% krahasuar me vitin 2024. Në kategorinë e investimeve kapitale për vitin 2025, komunat kanë paraparë shpenzime në vlerë prej 231 milionë eurosh, një rritje prej 5.6% krahasuar me vitin 2024. Ndërsa, në subvencione, rritja e buxhetit është për afro 16%.

Prishtina, Gjilani dhe Zubin Potoku për shkak të mosmiratimit të buxhetit në Kuvendet Komunale do të humbin buxhet në vlerë prej 8.3 milionë eurove.

Nga ana tjeter projektbuxheti i vitit 2025 nuk do t’i adresojë shqetësimet përmbarimore të komunave që lidhen me kontratën kolektive.

Këto e më shumë i gjeni ne analizën e publikuar sot nga Instituti GAP.

Të ngjashme