Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Reiner Rudolph, ka përsëritur qëndrimin e Berlinit se përgjegjësit për sulmin e armatosur në Banjskë, në shtator të vitit 2023, duhet të përballen me drejtësinë.
Duke folur për Milan Radoiçiqin, i cili është përgjegjës për organizimin e sulmit, Rudolph tha se Gjermania e ka dënuar ngjarjen me gjuhën më të ashpër dhe vazhdon të kërkojë që autorët të japin llogari.
“E kemi dënuar sulmin atje me termat më të ashpër dhe vazhdojmë ta bëjmë. Kemi thënë se përgjegjësit duhet të sillen para drejtësisë. E di që Kosova ka lëshuar fletarrestim ndërkombëtar që është aktiv. Kjo duhet të ndodhë”, deklaroi ambasadori.
I pyetur nëse Milan Radoiçiq do të ekstradohej në Kosovë në rast se do të hynte në territorin e Gjermanisë, ambasadori Reiner Rudolph u përgjigj se ai do të ndalohej.
“Ai do të ndalohej, natyrisht”, tha Rudolph ekskluzivisht në emisionin “Info Magazine” në Klan Kosova.