Punëtorët e “Trafikut Urban” dhe operatorëve privatë kanë paralajmëruar që nesër do të bllokohet rruga “UÇK” dhe prapa teatrit duke thënë se do të bllokohen hyrjet te Komuna dhe Qeveria, raporton Ekonomia Online.
“Nesër protesta do të vazhdojë me radikalizmi. Do të bllokohen rrugët në të dyja anët. Pra nëse nuk veprohet sot e nuk dalin mjetet financiare. Në këto momente që po flasim as dje e as sot askush nuk u drejtua as nga Komuna masës së punëtorëve tanë. Sot është afati i fundit për reflektim, në të kundërtën nga nesër i gjithë segmenti rrugor do të bllokohet me të gjithë autobusët me kapacitetin që kemi në Trafikun Urban dhe që nga mëngjesi sindikata do të organizojë protestën nga mëngjesi e deri në mbrëmje dhe këtu nuk do të ketë lëvizje të lirë në funksionimin as të Komunës e as të Qeverisë”, tha përfaqësuesi i “Trafikut Urban” Ilmi Gashi.
Sekretari i sektorit privat, Ismet Haliti, teksa bëri thirrje që të kryhen pagesat theksoi se nga gjithë kjo po pëson qytetari.
“Pajtohem me gjitha ato që tha kryetari i sindikatës. Është dita e 9 e protestës, fatkeqësisht udhëtari dhe qytetari i Prishtinës po vuan njëjtë sikur ne, kështu që bëjmë thirrje te Qeveria dhe Komuna që të reflektojnë dhe brenda ditës së sotit t’i alokojnë mjetet te Komuna dhe Komuna te ne, përndryshe mënyrën e protestës e ndryshojmë nga nesër”, tha ai.
