Në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit nesër në orën 09:00 pritet të mbërrijnë trupat e 45 qytetarëve që humbën jetën në një aksident automobilistik në Bullgari, njoftoi sot pasdite MPJ.
Pas mbërritjes, sipas Ministrisë së Jashtme të Maqedonisë, kortezhi do të lëvizë në një rrugë të paracaktuar drejt dhe përmes kryeqytetit.
Në periudhën nga ora 10:00 deri në orën 13:00, qytetarët do të mund të bëjnë nderimet e fundit dhe të vendosin lule në sheshin “Skënderbeu” dhe të ndjekin kortezhin që do të kalojë përgjatë bulevardit pranë sheshit, në periudhën 11:00 paradite dhe 12:00 pasdite.
Në shesh do të vendoset një video mur nga ku qytetarët do të mund të shikojnë të gjithë procesin e mbërritjes dhe lëvizjes së kortezhit.
Ambasadori bullgar në vend Angel Angelov sot deklaroi se eshtrat e 45 shtetasve të Maqedonisë nesër në mëngjes do të barten nga Bullgaria në vend me dy avionë transportues ushtarak.
Aksidenti në autobusin e “Besa Trans”-Shkup ka ndodhur më 23 nëntor në autostradën “Struma” afër qytetit të Përnikut. Dyzet e pesë pasagjerë u vranë dhe shtatë u plagosën.