Nevoja për një “metafizikë” të re politike

Prishtinë | 31 Gus 2022 | 15:23 | Nga Afrimi Kasolli

Në librin “Kritika e mendjes së kulluar” (Kritik der Reinen Vernunft von) Imanuel Kanti e shtron pandehmën e shndërrimit të metafizikës në shkencë, në mënyrë që t’i përsosim sa më mirë që të jetë e mundur kushtet apriori të njohjes njerëzore.

Sipas tij, metafizika e deriatëhershme ishte e bazuar në themele jo të qëndrueshme. Për më shumë ajo ishte një bredhje e thjesht dhe e kotë, sepse njohja drejtohej kryesisht sipas objekteve dhe asaj që është objektive. Prandaj, ka ardhur koha që ajo të zhvillohet sipas kushteve subjektive gnoseologjike, në mënyrë që “realiteti” objektiv të kapet sipas njohjes sonë, proces ky që për “objektet duhet të konstatojë para se ato të na jenë dhënë”.

Kjo kritikë e filozofit gjerman në shumë çka është e qëndrueshme. Si e tillë ajo është e drejtuar kundër trashëgimisë metafizike platonike, e cila ishte vendimtare në traditën perëndimore. Dhe ajo në mënyrë impresive i përmbys disa nga kriteret filozofike të saj.

Sepse nuk është Friedrich Nietzsche, apo Karl Marx, siç mendon Martin Heidegger-i apo Hannah Arendt, që të parët e këmbyen hierarkinë e asaj trashëgimie. Në fakt ishte Imanuel Kant-i, i pari ai i cili e “konvertoi subjektivisht platonizmin”. Mirëpo, me gjithë rëndësinë “revolucionare” që patën filozofimet e mendimtarit nga Königsberg-u, përsëri ato nuk ofruan një paradigmë të re veçanërisht në mendimin politik. Me këtë nuk po them se Imanuel Kanti nuk krijoi koncepte të reja nga filozofia politike.

Por problemi është se ato u ndërtuan në bazë të paradigmës së “reprezentimit”, sipas së cilës njohja e esencës së “gjërave dhe realitetit të fshehur të tyre” na shpie deri te vërteta. Kurse ky proces ngjizej brenda “burgut të vetmisë transcendentale”.

Dhe kjo mendësi që e mban në epiqendër të saj njohjen e ideve si kusht për ta ndërtuar realitetin, e ka ushqyer metafizikën politike, në forma të ndryshme prej Platonit deri te Hegeli. Në këtë mënyrë standardet për gjykim politik nuk janë formuar nga procesi i shfaqjes së gjërave, por nga forma absolute e tyre. Kurse, kjo teori e ka pikënisjen e saj me përmbysjen që i kishte ndodhur filozofisë para-sokratike.

Prandaj, sot më shumë se kurrë shtrohet pyetja, a mos vallë mënyra metafizike e të menduarit të filozofëve para-sokratikë, që zakonisht e definojmë si anti-politike, mund të na ndihmojë për ta gjykuar jetën politike më mirë, se sa vet metafizika platonike të cilin çuditërisht e konsiderojmë si filozofinë e parë politike në historinë e mendimit perëndimor. A duhet të kthehemi pra në thesaret mendore të atyre filozofëve, që kryesisht ishin të zhytur me arkhé-n (ἀρχή) fillesën e gjërave, për t’i gjykuar më mirë edhe çështjet politike, se sa te filozofët pas tyre që temat e shtetit dhe drejtësisë i shndërruan në preokupim primar të refleksioneve të tyre? A mos kanë rëndësi më shumë për jetën politike raportet “intime” ndërmjet “Qenies” dhe “qenieve”, që i elaboruan iniciuesit e kësaj tradite, por që mjerisht, sipas Martin Heidegger-it, e humbën shkëlqimin e tyre, për shkak të ndikimit të Platonit dhe Aristotelit, ku nocioni i “eidos-it” (είδος) të të parit dhe ousia (οὐσία) e të dytit e substancializuan metafizikën.

Sipas filozofit gjerman, në librin “Einführung in ide Metaphysik”, ‘’Qenia‘’në mendimin grek para-sokratik e kishte kuptimin e phusis-it. Ajo që manifestohej, shfaqej dhe çelej nga vetvetja. Dhe ky nocion “mistik” në vetvete “abstrakt” nuk mund të paramendohet pa shfaqjen e tij. Pra, “Qenia” dhe shfaqja, janë të pandashme. Thjesht “Qenia” e nënkupton shfaqjen, ‘’Being means appearing”. Kjo e fundit nuk ishte hije dhe imitim i së parës, por vetë e para. Natyrisht, ky proces nuk ishte i lehtë sepse pengesë serioze për këtë shpërfaqjeje mund të merret fakti, kur gjërat bëhen që gjoja janë (seeming), dhe që si të tilla e vështirësojnë dhe mashtrojnë shfaqjen e vërtetë të tyre.

Ky tension dhe antagonizëm ndërmjet “Qenies” dhe asaj që gjoja është (Being and seeming) sipas Heidegger-it, qëndron në themel të mënyrës greke të të menduarit. Dhe formën e vet më të spikatur e kishte arritur në krijimet tragjike letrare të kësaj bote. Shembull mund të merret “Mbreti Edip” i Sofokliut. Ndonëse në mënyrë të pavetëdijshme ai në fillim shfaqet si shpëtimtar dhe zotërues i qytetit, por më vonë kuptohet se ai ishte vetëm gjoja i tillë. Sepse, në fund mrret vesh se ai ishte atëvrasës dhe kishte bërë incest me nënën e tij. Kurse ky rrugëtim, ndërmjet fillimit brilant dhe fundit të tmerrshëm, është një betejë tipike ndërmjet asaj që ishte mashtrim në fillim dhe zhveshjes tragjike të saj në fund, (consealment and distortion and unconcealment Being). Pra qyteti realisht nuk ishte i çliruar, por u kidnapua nga vrasësi i fshehur i ish-mbretit, Laios. Natyrisht, në fund Edipi ndërgjegjësohet për atë se kush është. Ai pendohet. Dhe nga kjo pendesë e verbon vetën. Kurse, ky përfundim tragjik ishte shprehje eksplicite e asaj kulture që e afirmon shfaqjen e “Qenies” mbi atë të gjoja dukjes së saj. Sepse, sipas këtij humusi metafizik, “Qenia” duhet të shfaqet ashtu siç është.

Esktrapolimi i këtyre kategorive ontologjike ka një rëndësi primare edhe në mendimin politik. Mbase me anë të tyre mund ta gjykojmë më mirë edhe këtë sferë. Sepse, ato na bëjnë thirrje që t’i vlerësojmë fenomenet dhe personalitetet e kësaj bote jo nga idetë e tyre, por nga mënyra se si shfaqen konkretisht para neve. Dhe ta luftojmë përpjekjen e tyre për t’u maskuar nga ajo që në të vërtetë janë. Sa e sa herë gjatë historisë shumë revolucionarë në fillim dukeshin si shpëtimtar, por e përfundonin karrierën e tyre mbi krime të llahtarshme dhe mashtrime demagogjike. Dhe këtë e bënin, pikërisht edhe falë aftësisë së tyre për të manipuluar me idetë sublime. Ndërkaq, ato ide u shërbenin si paravan për ta mbuluar qenien e vërtetë të tyre.

Prandaj, për t’i shmangur rreziqe të tilla është mese e domosdoshme që ta sajojmë një ‘’metafizike’’ të re politike. Kjo ‘’metafizikë’’ mund të zhvillohet sipas modelit të refleksioneve para-sokratike, thelbi i së cilës i mban Qenien dhe shfaqjen si të pandashme (Being and appearing).

Të ngjashme