Kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, i shoqëruar nga Besnik Hoti drejtor i Drejtorisë për Punë Inspektuese, inspektorët e kësaj drejtorie si dhe Rumir Zhunqi, drejtor i DUPMM, kanë vizituar fshatin Polluzhë dhe nga aty kanë njoftuar se nga dita e enjte do të fillohet me gjoba mandatore për ata që hudhin mbeturina në vende jo-adekuate.
“Veprimeve të tilla skandaloze duhet t’u themi mjaft. Hedhja e mbeturinave në natyrë, për më tepër, tek një lokacion i shenjtë siç është varri i dëshmorit Afrim Bajraktari në Polluzhë, është akt i ulët që s’bën të ndodh. Nga e enjtja do të fillojnë gjobat mandatore për ata që hudhin mbeturina në vende jo-adekuate dhe ne si Komunë jemi të përkushtuar që t’i shkojmë deri në fund kësaj pune. Ta mbajmë bashkë Rahovecin tonë të pastër e të bukur”, është shprehur ndër të tjera kryetari Latifi.